Sport

Talenti i FC Aarau, Almir Jakupi, ftohet në reprezentacionin e Maqedonisë U17 për turneun kualifikues në Malta (FOTO)

Talenti U17 i FC Aarau nga Zvicra, Almir Jakupi sot i është bashkuar reprezentacionit të Maqedonisë U17 për turneun kualifikues, i cili nga 25-31 tetor do të zhvillohet në Malta.
Jakupi është me prejardhje nga Kumanova.

Të zgjedhurit e seleksionuesit Dashmir Beari ndodhen në grupin e tetë kualifikues së bashku me Spanjën U17, Slovakinë U17 dhe nikoqirin Maltën U17.

Përfaqësuesja e U17 të RMV-së për në Malta udhëton ditën e diel.

Jakupi, i cili luan në pozitën e mesfushorit, është optimist para këtij turneu. Për Open-TV, ai deklaroi se është mjaftë i përgatitur dhe se pret të zënë njërin prej dy vendeve të para në grup, që mundëson kualifikimin në raundin elitar.

“Unë jam shumë i përgatitur, kam ushtruar shumë, dhe jam i gëzuar që do të luaj në këto kualifikime. Shpresoj të kualifikohemi, shanset i kemi të mira”, deklaroi Jakupi për Open-TV.

“Grupi është i vështirë. Jemi më Spanjën, Sllovakinë dhe Maltën. Maltën e Sllovakinë mund t’i fitojmë, nuk është problem. Spanjën nuk është problem, por është më zor. Nëse e fitojmë Maltën dhe Sllovakinë bëhet mirë”, vijoi ai.

“Ne jemi të fortë, nuk jemi keq. Kemi lojtarë të mirë. Në këto kualifikime do të japim 100 për qindshin që të kualifikohemi”, tha Jakupi për Open-TV.

U17 e Maqedonisë ndeshjen e parë e luan më 25 tetor ndaj Sllovakisë, pastaj tre ditë më vonë (28 tetor) kundër Spanjës, ndërsa më 31 tetorndaj vendësve të Maltës.

Raundi elitar do të zhvillohet në mars të 2024-ës, ndërsa finalet e Under 17 Championship do të mbahen nga 20 maj deri më 5 qershor 2024 në Qipro. (Open-TV)