May 16, 2024
Maqedoni

Në Kumanovë nesër mbahet konferencë për situatën në Veri të Kosovës

Me rastin e 17-vjetorit të themelimit, Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut – Maqedoni e Veriut, organizon konferencën me temë: PADREJTËSITË NDËRKOMBËTARE NË COPËTIMIN E TROJEVE SHQIPTARE.
Konferenca ndërkombëtare mbahet ditën e shtunë, më 21 tetor 2023, në ora 12, në objektin e Fakultetit të Administratë-Biznesit në Kumanovë. Në kuadër të konferencës do të diskutohet edhe nëntema “Situata aktuale në Ballkan, me theks të veçant në Veriun e Kosovës”, deklaroi për Lideri.mk Idriz Sinani, kryetar i Forumit për të drejtat dhe Lirit e Njeriut (IGFM), sekcioni për Maqedoninë e Veriut.
Në konferencë marrin pjesë aktivistë për të drejtat e njeriut nga vendi e bota, profesorë universitarë, ekspertë dhe qytetarë. Posaçërisht do të diskutohet për shkeljen e konventave ndërkombëtare për të drejtat elementare të njeriut në trojet shqiptare, përkatësisht padrejtësitë gjatë copëtimit trojeve dhe gjykimeve politike.
Veç kryetarit të nderit te IGFM-së për Maqedoni, Idriz Sinani-koordinator për Ballkan, do te marrin pjese edhe kryetaret e seksioneve të IGFM-së për Ballkan. Ata do të kenë mundësinë të takohen dhe t’i shprehin ankesat e tyre drejtpërdrejt Bordit ndërkombëtar të IGFM-së qe do te jene pjesëmarrës nga selia e IGFM Frankfurt- Gjermani, shkruan Lideri.mk.

I nderuar zoti Sinani,

Ju uroj juve dhe ekipit tuaj një konferencë të suksesshme dhe vendime të mençura.

Lidhur me këtë konferencë është prononcuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i IGFM, Karl Hafen.

“Ngjarjet në veri të Kosovës i ndjek me shumë shqetësim. I shkrova qeverisë gjermane dhe i kërkova të ndihmonin për të siguruar që lufta e hapur të mos shpërthejë përsëri duke forcuar trupat ndërkombëtare, gjë që do të kishte pasoja shkatërruese për civilët. Gjithashtu ngrita shqetësimin nëse negociatat e Serbisë me BE-në duhet të pezullohen derisa të ketë paqe në rajon”, ka deklaruar Hafen.

Programi dhe pjesëmarrësit e konferencës ndërkombëtare:

Data: 21 Tetor 2023 (e shtunë)
Vendi: Fakulteti i AB, Kumanovë, Iliridë – Maqedoni
Koha: ora 12:00

Paneli i konferencës:

– Idriz Sinani, koordinator i IGFM-së për Ballkan dhe kryetar për Maqedoninë e Veriut (hapja)
– Dr. Matthias Boehning, Bon – Gjermani, përfaqësues i OKB-së
-Prof. Nevzat Halili, kryetar historik i PPD-së
– Prof. Rexhep Abazi, i seksionit të IGFM-së për Serbi,
– Prof. Ilir Lleshi, i seksionit të IGFM-së për Malin e Zi,
– Mark Pali, kryetar i seksionit të IGFM-së për Shqipëri,
– Alit Gashi, i seksionit të IGFM-së për Kosovë,
– Halit Barani, kryetar i KMDLNJ në Mitrovicë (Kosovë),
– Amet Jasharovski, përfaqësues i FR,
– Ismet Arifaj, kryetar i BKDSH,
– Dr. Shefki Kadri Selami, kryetar i Shoqatës “Pellazgët” – Tetovë
– Ndrek Doda, kryetar i degës së IGFM-së Shkodër – Shqipëri,
– Dr. Rexhep Emurllai, profesor universitar, USHT
– Prof. Etem Xheladini, anëtar nderi i IGFM-së Maqedoni,
– Familjarë të të burgosurve politik nga trevat shqiptare, etj.
Të drejtë diskutimi kanë edhe pjesëmarrësit tjerë në konferencë.