Takimi i paralajmëruar për më 14 janar po shihet nga opozita si tentativë për ndryshim të rregullave zgjedhore dhe rikonfigurim të balancave institucionale, ndërsa pushteti e paraqet si përpjekje për dialog politik dhe zhbllokim të proceseve reformuese
Ersan PAJAZITI
Shkup, 9 janar – Nisma e kryeministrit Hristijan Mickoski për shfuqizimin e Qeverisë teknike dhe paralajmërimi për një takim të liderëve politikë ka hapur një debat të ri politik në vend, në një periudhë të ndjeshme, në kushtet e një procesi të bllokuar të integrimit evropian. Takimi i paralajmëruar për më 14 janar po shihet nga opozita si tentativë për ndryshim të rregullave zgjedhore, ndërsa pushteti e paraqet si përpjekje për dialog politik dhe zhbllokim të proceseve reformuese.
FILIPÇE: QEVERIA TEKNIKE, E VETMJA MUNDËSI PËR ZGJEDHJE TË NDERSHME
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në brifingun e sotëm me mediat përsëriti se nuk do të ketë takim me kriminelë dhe se qeveria teknike duhet të mbetet, sepse ajo është linja e fundit e mbrojtjes kundër kapjes dhe keqpërdorimit të së rëndësishmes, e cila është vullneti i lirë i qytetarëve gjatë procesit zgjedhor. Filipçe theksoi se Mickoski “po i ngutet” dhe se “po kërkohet një alibi për shpalljen e zgjedhjeve”. Në argumentimin përse qeveria teknike duhet të mbetet, Filipçe theksoi se ajo mund të hiqet vetëm atëherë kur ne do të ishim një shoqëri e pjekur, e tani në këtë moment nuk jemi.
“Qeveria teknike nuk duhet të hiqet, sepse ajo është vetëm dritë, e vetmja mundësi për zgjedhje të ndershme dhe të drejta. Ata nuk e duan qeverinë teknike, sepse kur të hyjë një ministër nga opozita, ai do të ketë pasqyrë mbi të gjitha keqpërdorimet dhe mbi të gjithë sistemin korruptiv. Nuk e duan qeverinë teknike, sepse për këtë pushtet do të nënkuptonte hapjen e kutisë së Pandorës,“ tha Filipçe.
VMRO: FILIPÇES I PENGOJNË REFORMAT
Nga VMRO-DPMNE janë kundërpërgjigjur se Venko Filipçe nuk refuzon vetëm një takim të liderëve, por se ai refuzon edhe dialogun dhe dorën e shtrirë për ndërtimin e konsensusit politik për interesat e shtetit. “Edhe pse, LSDM dhe Filipçe, nuk e nxjerrin nga goja integrimin evropian të Maqedonisë, sot edhe një herë treguan se nuk i intereson atë, se për ta kjo është vetëm propagandë për politikë boshe. Sepse tema e takimit të liderëve, në të cilin Filipçe refuzon të marrë pjesë, do të jetë diskutimi i ligjeve reformuese që janë pjesë e agjendës reformuese për BE-në, me qëllim përmirësimin e rritjes ekonomike dhe stabilitetit të shtetit”, theksojnë nga VMRO-DPMNE. Nga partia në pushtet theksojnë se Filipçe tregoi se i pengon gjithçka që është e mirë për shtetin, si reforma në në drejtësi, në siguri, lirinë e shprehjes.
“Në bisedën e sotme të quajtur briefing me gazetarët, Filipçe konfirmoi se e intereson vetëm kolltuku i tij partiak në LSDM, që besnikërisht ia ruan mentorit të tij dhe shokut të ngushtë nga festat e çmendura në Dubai dhe Halkidiki. E kuptojmë pse është kundër reformave në drejtësi dhe prokurori. Sepse është i trembur deri në palcë nga pastrimi i kuadrove të zgjedhura nga Bihaçka”m thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së
TAKIMI I LIDERËVE I IMPONUAR NGA PRESIONI NDËRKOMBËTAR?
Ndërkohë, analisti politik Zudi Xhelili vlerëson se takimi i liderëve nuk është rezultat i një vullneti spontan politik, por është i imponuar nga rrethanat e brendshme dhe presioni ndërkombëtar. “Është pritur që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut të përballet me presion të shtuar diplomatik, veçanërisht nga faktorët ndërkombëtarë, për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian,” deklaron Xhelili. Sipas tij, fokusi kryesor mbetet hapja e Kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve në të, si kusht i panegociueshëm për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Takimi i liderëve nuk është as i rastësishëm dhe as vullnetar. Ai është i imponuar nga rrethanat politike dhe nga presioni ndërkombëtar,” thekson Xhelili. Ai vlerëson se refuzimi i LSDM-së për të marrë pjesë në takim dhe kundërshtimi i shfuqizimit të Qeverisë teknike përbën një sinjal të fortë politik se opozita nuk mund dhe nuk duhet të injorohet. Në këtë kontekst, ai e sheh si vendimtar edhe qëndrimin e BDI-së dhe partnerëve të saj, duke pasur parasysh mekanizmin e Badenterit.
“Mbetet për t’u parë qëndrimi i BDI-së dhe partnerëve të saj, të cilët përmes mekanizmit të Badenterit kanë rol kyç në Parlament. Deri më tani ata janë shprehur vetëm kundër shfuqizimit të Qeverisë teknike” shton Xhelili. Sipas tij, një takim i tillë pashmangshëm do të hapë edhe çështjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Xhelili apelon që partitë politike shqiptare, veçanërisht ato opozitare, të pozicionohen qartë në raport me procesin integrues evropian. “Në këtë fazë vendimtare, partitë politike shqiptare duhet të rreshtohen qartë në anën e faktorit ndërkombëtar dhe të procesit integrues evropian, veçanërisht sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe zgjerimit të mekanizmit të Badenterit” thekson Xhelili.
HALILI: KOMODITETI INSTITUCIONAL, PRIRORITET I MICKOSKIT
Ndryshe nga kjo qasje, analisti politik Faton Halili e sheh iniciativën e Mickoskit si rrezik serioz për modelin zgjedhor dhe opozitën politike në vend. “Paralajmërimi i Mickovskit për ta paralizuar Qeverinë teknike është i barabartë me mohimin e Marrëveshjes së Përzhinës si garancë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në një sistem të brishtë si ky tek ne” deklaron Halili. Sipas tij, komoditeti institucional i kryeministrit është prioriteti kryesor i agjendës së tij politike. Ai e krahason qasjen e Mickoskit me modelet e pushtetit të konsoliduar në rajon.
“Komoditeti institucional i Mickovskit është gjëja parësore në agjendën e tij politike, për këtë duhet të përgatitet terreni politik me kapjen e sistemit. Mickoski po ndjek hapat e Ramës dhe Vuçiçit, të cilët kanë krijuar pushtet pothuajse absolut mbi të gjitha pushtetet” vlerëson Halili. Sipas tij, synimi final është dobësimi i opozitës dhe fragmentarizimi i skenës politike. Ai paralajmëron se zhbërja e modelit të Qeverisë teknike synon goditjen e dy taboreve opozitare njëkohësisht.
“Për ta arritur këtë qëllim do të aplikohet e njëjta metodologji: sa më shumë parti dhe liderë politikë, aq më shumë mbetet i paprekur pushteti. Me një gur dëshiron t’i vrasë dy zogj: të varrosë opozitën, edhe LSDM-në edhe BDI-në, përmes polarizimit dhe parcializimit të skenës politike,” shprehet Halili. Takimi i liderëve, nëse realizohet, pritet të jetë një test serioz politik për stabilitetin institucional dhe rregullat zgjedhore, në një moment kur vendi përballet me presion të brendshëm dhe ndërkombëtar për vendime kyçe politike, siç janë ndryshimet kushtetuese, të cilat vazhdojnë të mebten bllokadë kryesore për vazhdimin e rrugës euro-integruese të vendit. Përndryshe pnë lidhje me takimin e liderëve nga BDI kanë theksuar se do të marrin vendim se a do të marrin pjesë, vetëm pasi të marrin ftesë zyrtare, ndërsa nga VLEN janë treguar të hapur për çdo takim. (koha.mk)


