Takim Aliu-Gjorgievski: Parking me 500 vende të reja do të ndërtohet në Qendrën Klinike në Shkup

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgievski, sot, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, si dhe ekipet e ekspertëve nga Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” dhe Qyteti i Shkupit, mbajtën një takim koordinues për të nisur zyrtarisht ndërtimin e dy garazheve të parafabrikuara shumëkatëshe brenda Qendrës Klinike.

– Me zbatimin e këtij projekti, të cilin do ta zbatojë Qyteti i Shkupit, do të sigurohen rreth 500 vende të reja parkimi, duke i dhënë fund më në fund kaosit shumëvjeçar me parkimin në dhe përreth Qendrës Klinike – deklaroi Gjorgievski.

Ai theksoi se kjo është një zgjidhje konkrete, funksionale dhe e përhershme që do ta lehtësojë drejtpërdrejt jetën dhe punën e përditshme të punonjësve të shëndetësisë, por edhe aksesin e pacientëve nga i gjithë vendi që vijnë për trajtim çdo ditë.

Ndërtimi i garazheve të montuara do të mundësojë organizim më të mirë të trafikut, akses të lirë dhe të papenguar për ndihmë mjekësore urgjente dhe siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke respektuar hapësirën publike dhe standardet moderne urbane.

Projekti po zbatohet në koordinim me Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe, sipas kryetarit të qytetit të Shkupit, paraqet një sinjal të qartë të angazhimit të përbashkët për zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve dhe përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor.

– Me punë të përbashkët, koordinim dhe një vizion të qartë, hap pas hapi po ndërtojmë zgjidhje funksionale dhe të qëndrueshme në interes të qytetarëve. Kjo është vetëm një pjesë e asaj që do të vijë. Shkupi po jeton një epokë të re – theksoi Gjorgjievski.

sqShqip