Më në fund u realizua edhe kjo: Tabela në pikën kufitare Bellanoc-Stançiç u vendos edhe në gjuhën shqipe
Bellanoc-Stançiç, Maqedonia e Veriut — Pas shumë vitesh pritjeje dhe kërkesash të përsëritura nga banorët lokalë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, në pikën kufitare Bellanoc-Stançiç është vendosur më në fund tabela edhe në gjuhën shqipe.
Edhe pse ky vendkalim kufitar ndodhet në një zonë me 100% popullsi shqiptare, prap se prap , tabela hyrëse deri më sot ka qenë e vendosur vetëm në gjuhën maqedonase — një veprim që ka shkaktuar pakënaqësi të vazhdueshme tek qytetarët lokal.
Reagimet e banorëve: “Një hap i vogël, por me domethënie të madhe” Banorët e komunës së Likovës dhe fshatrave përreth e kanë mirëpritur vendosjen e tabelës në gjuhën shqipe.
Ata e kanë cilësuar këtë si një hap të vogël në pamje të parë, por me rëndësi të madhe simbolike dhe institucionale. “Është absurde që për kaq shumë vite, në një zonë ku flitet vetëm shqip, të mos kishte një tabelë në gjuhën tonë. Edhe pse kjo mund të duket gjë e vogël për dikë, për ne ka rëndësi të madhe – është çështje respekti dhe përfaqësimi,” – tha një qytetar nga Bellanoci.
Kjo çështje është ngritur në vazhdimësi nga përfaqësues lokalë shqiptarë dhe është diskutuar disa herë edhe në nivel qendror, por zgjidhja ka ardhur vetëm tani – pas më shumë se dy dekadash nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut dhe pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në vendet ku shqiptarët janë shumicë.
Megjithatë, ende nuk dihet se cili institucion konkretisht ka ndërmarrë hapin për vendosjen e tabelës në shqip, pasi nuk ka pasur asnjë komunikatë zyrtare për këtë veprim. Kujtesë për institucionet: Të drejtat gjuhësore nuk janë privilegj, por detyrim Ky rast është një tjetër kujtesë për institucionet shtetërore se respektimi i të drejtave gjuhësore nuk është një çështje favori politik, por një detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve të vet. Për shumë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, simbolet si tabelat, shënimet zyrtare dhe komunikimi publik janë pjesë e identitetit dhe dinjitetit të tyre kombëtar – dhe mungesa e tyre ndjehet si përjashtim institucional.