Personi A.L. kërcënon dhe tenton t’ia marrë kamerën gjatë punës në terren
Një incident i rëndë që prek lirinë e medias ka ndodhur mbrëmjen e 19 korrikut në Gostivar. Rreth orës 23:40, në Stacionin Policor DPB Gostivar është paraqitur gazetari dhe pronari i një televizioni lokal, B.M. (48), për të denoncuar një sulm ndaj tij gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas dëshmisë së gazetarit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 në rrugën “Ilinden” në Gostivar, ku derisa po raportonte nga terreni, personi me iniciale A.L. i është afruar duke e kërcënuar verbalisht dhe duke tentuar t’ia marrë me forcë kamerën e punës. Dyshohet se shkak apo motiv i këtij sulmi ka qenë një foto-lajm i publikuar më parë nga ky media lokal. Policia njofton se po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe përballjen e autorit me ligjin.

