May 3, 2024
Kosovë

Sulmi terrorist në Banjskë, analistët: BE duhet të vazhdojë me sanksione progresive kundër Serbisë

Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, Bashkimi Evropian (BE) ende nuk i ka vendosur sanksione Serbisë, por as nuk i ka hequr masat e vendosura muaj më parë Kosovës, edhe pse kjo po kërkohet vazhdimisht nga liderët e Kosovës si dhe nga një numër i shteteve anëtare të BE-së.

Njohësit e çështjeve politike thonë se Kosova duhet të ketë konsistencë në veprim dhe koordinim në strategji, derisa faktorët ndërkombëtarë të pranojnë mesazhet e Kosovës dhe të vendosin për ndëshkimin e Serbisë.Gazmir Rraci në një prononcim ka thënë se në raport me Kosovën BE-ja po gabon që nuk i po heq masat ndëshkuese, sepse siç u shpreh ai “u dëshmua që Kosova është partneri më i besueshëm, jo vetëm i BE-së, por komplet Aleancës Veri-atlantike në Ballkanin Perëndimor”.

Sipas tij, tashmë u dëshmua se në veri ka grupe kriminale dhe terroriste.

“U pa që Kosova ka pasur të drejtë që ka insistuar që në veri ka probleme me banda kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Kosova ka aleancë strategjike me BE-në, NATO-n e ShBA-në. Pasi BE-ja tha që Policia e Kosovës është kompetente që të vlerësojë situatën në sulmin e Banjskës kjo është shumë mirë. Edhe Policia është duke e vlerësuar dhe dokumentuar çdo ditë me fakte implikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit zyrtar, të Aleksandar Vuçiqit…”, vlerësoi Rraci.

Po ashtu sipas tij, është momenti ideal që BE-ja të vendos masa të rrepta Serbisë.

I pyetur se a duhet të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi, në Bruksel, ai tha se njëherë duhet të definohet puna e përgjegjësisë për sulmin e fundit terrorist në veri.

“Duhet me saktësua që Serbia është ajo që e ka urdhëruar dhe mbështetë sulmin”, tha ai.

Më tej Rraci theksoi se Kosova sa i përket çështjes së sigurisë duhet të koordinohet me faktorin ndërkombëtar sidomos me NATO-n.

Njohësi i politikës po ashtu kërkoi që të zhvlerësohet letra e ish Presidentit, Hashim Thaçi në të cilën thuhej se FSK-ja nuk duhet të shkojë në veri.

“Nuk mund të jemi peng i asaj letre që ka shkuar nga ish presidenti Thaçi për FSK-në në NATO. Ka ardhur koha që ajo letër të zhvlerësohet, sepse është e rëndësishme që në veri të jetë dhe FSK-ja, pasi janë të vetmit që ruajnë integritetin e Kosovës. Policia është për rend dhe ligj, por jo që të mbrojë kufijtë e Kosovës. Edhe pse Policia është duke e kryer punën e saj në mënyrë të shkëlqyer. Andaj letra e deponuar në NATO nga ish presidenti Thaçi duhet të zhvlerësohet sa më shpejt, por kjo duhet të bëhet me negociata serioze me NATO-n, ShBA-në”, u shpreh ai.

Taulant Elshani nga Instituti Octapus për Telegrafin ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë me evidentimin e provave që e lidhin sulmin terrorist dhe agresionin serb të Banjskës me kupolën e shtetit në Serbi.

Sipas tij, duhet komunikim sistematik për sensibilizimin e faktorëve ndërkombëtare për domosdoshmërinë e sanksionimit të Serbisë, “si shtet agresor dhe sponsor i sulmit terrorist të 24 shtatorit”.

“Duhet konsistencë në veprim, dhe koordinim në strategji, deri sa faktorët ndërkombëtarë të pranojnë mesazhet e Kosovës, dhe të vendosin për ndëshkimin e Serbisë”, vlerësoi ai.

I pyetur nëse BE-ja t’i vendos sanksione Serbisë pas këtyre veprimeve terroriste, Elshani theksoi se “BE-ja duhet urgjentisht të ngrisë presionin ndaj Serbisë për hetim të plotë të grupit terrorist dhe ekstradimin e Milan Radoiçiqit dhe shoqëruesve të tij në organet e rendit në Kosovë”.

“BE-ja duhet të ngrisë po ashtu presionin mbi Serbinë edhe për çështje të tjera, si tërheqja e plotë e influencës së Serbisë në veriun e Kosovës. Në të njëjtën kohë, BE duhet të vazhdojë me sanksione progresive kundër Serbisë, varësisht nga roli destruktiv që Serbia luan në Kosovë”.

Siç potencoi Elshani, dialogu Kosovës-Serbi tani më nuk ka kuptim.

“Serbia është shtet që ka shkaktuar një agresion kundër Kosovës dhe ka sponzorizuar sulm terrorist për të shkaktuar dëme në njerëz dhe pronën e Republikës së Kosovës. Serbia ka synuar që përmes këtij aksioni ta shqyrtojë mundësinë e aneksimit të katër komunave veriore të vendit; andaj në këtë logjikë dialogu aktualisht nuk ka kuptim pa u sanksionuar Serbia”, tha ndër të tjera Elshani.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar mundësinë e sanksionimit të Serbisë, edhe pse Beogradi përpiqet të “pastrohet” pas sulmit terrorist në veri të Kosovës.

Aktualisht, komisioni i BE-së është duke pritur prova nga hetimet e Policisë së Kosovës, i cili po ndihmohet nga EULEX, që të vërtetohet se kush e urdhëroi sulmin terrorist në veri.

Ndryshe, mëngjesi i 24 shtatorit e gjeti Banjskën e Zveçanit nën sulme të një grupi serbësh prej më shumë se 30 personave të armatosur rëndë, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku si dhe u plagos pjesëtari i policisë, Alban Rashiti.