Sulm në Palestinë, ushtria izraelite vret 10 palestinezë, qindra të plagosur
Të paktën 10 palestinezë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga një sulm i ushtrisë izraelite në qytetin Nablus të Palestinës. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 me orën lokale dhe se pas sulmit ndodhën konfrontime të tjera.
Ushtria bllokoi hyrjet që qytet para se të rrethonte një shtëpi me dy luftëtarë palestinezë të cilët ishin shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për Hossam Isleem dhe Mohammad Abdulghani, të cilët u vranë të dy.
Ushtria izraelite tha se “forcat e sigurisë po operojnë tani në qytetin e Nablus”, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Izraeli rriti sulmet, arrestimet dhe vrasjet e tij ushtarake në qytetet dhe fshatrat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar nga qershori 2021, pas një kryengritjeje popullore palestineze të njohur si “shpërthimi i majit” që përfshiu Izraelin dhe territoret palestineze që i ka pushtuar ilegalisht që nga viti 1967.
Në mars 2022, pas një serie sulmesh individuale palestineze brenda Izraelit, ushtria izraelite nisi një fushatë ushtarake që çoi në shënjimin e vitit 2022 nga Kombet e Bashkuara si viti më vdekjeprurës për palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga viti 2006.
Rreth 171 palestinezë, duke përfshirë më shumë se 30 fëmijë, u vranë nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor vitin e kaluar.