Sulm me armë zjarri në Haraçinë, plagoset shoferi dhe nëpunësi i kryetarit Ibrahimi
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mesditën e sotme në Komunën e Haraçinës, ndërsa shënjestër ka qenë kryetari i kësaj komune. Si pasojë e të shtënave, dy persona kanë mbetur të plagosur, përkatësisht shoferi i kryetarit të komunës, Ridvan Ibrahimi dhe një zyrtar komunal. I lënduari është dërguar në Qendrën urgjente ku mjekët po japin ndihmën e parë mjekësore, ndërsa familjarët nuk dëshirojnë të flasin para kamerave.
Burime nga Qendra urgjente thonë se gjatë ditës së sotme kanë pranuar një pacient të lënduar me armë zjarri në gjoks. Deri në këto momente nuk ka informacione të hollësishme se për cilin person bëhet fjalë dhe si është gjendja e tij. Këtu konfirmojnë vetëm se në këto momente mjekët i japin ndihmën e duhur mjekësore personit të plagosur.
Policë të shumtë veç më disa orë kanë bllokuar hyrje-daljet në Haraçinë, hetojnë rastin dhe po kërkojnë veturën dhe personat që gjuajtën në drejtim të kryetarit të Haraçinës, Ridvan Ibrahimi.
Për momentin nga MPB-ja e konfirmojnë sulmin, por nuk bëjnë me dije se cilat janë arsyet e ngjarjes. Ndryshe, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup para pak kohësh ka filluar procedurë ndaj dy vëllezërve për rrezikim të sigurisë së kryetarit të Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi. Të dyshuarit të moshës 42 dhe 35 vjeçare, në mënyrë të vazhdueshme përmes telefonit e kanë kërcënuar zyrtarin – kryetarin e Komunës së Haraçinës, duke i shkaktuar atij pasiguri, ankth dhe frikë.
“Pasi i ka denoncuar ata kanë vazhduar me kërcënime serioze përmes mesazheve në Viber se do të sulmojnë jetën dhe trupin e tij.”, ka bërë të ditur kohë më parë Prokuroria Publike.
Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masave të sigurimit, ndalim të daljes nga vendbanimi, konfiskim të përkohshëm të dokumentit për hyrje në komunën e Haraçinës, si dhe ndalim për afrimin dhe kontaktimin me kryetarin Ibrahimi. Edhe në shtator të vitit 2022, kryetari Ibrahimi kishte raportuar në polici se ishte sulmuar fizikisht nga disa persona, ndërsa në maj të vitit 2023 kishte raportuar se kishte marrë kërcënime me jetë.