April 25, 2024
Diaspora

Kumanovari Qemal Osmani, 42 vite në Zvicër: Desha të kthej menjëherë, por kur mora rrogën e parë ndryshova mendim (Foto)

Nuk është i vetëm, por ka edhe plotë si ai që jeta po i kalon në mërgim. Haxhi Qemal Osmani nga Kumanova sivjet i mbush 42 vite në kurbet. Ishte viti 1979, kur ai si 23-vjeçar ishte nisur për herë të parë në Zvicër dhe ishte vendosur në Rebstein të kantonit të St. Gallenit. Planet e tij ishin që të mos mbetet gjatë, të kthehet dhe të investoj në vendlindje, por nuk kishte qenë e shkruar ashtu, shkruan Open-TV.

Gjatë qëndrimit tim në Zvicër e vizitova haxhi Qemal Osmanin në banesën e tij në Oberriet të kantonit të St. Gallenit.


“Mirëserdhe”, më tha me një buzëqeshje të ngrohtë, ashtu siç e njohin të gjithë ate si një njeri me mirësjellje dhe zemër të butë e bamirës.
Ai sot është në pension. Edhe pse është është 65-vjeçar është vital, gëzon shëndet të mirë. Thotë se asnjëherë s’e kishte paramenduar që do të mbetet 42 vite në Zvicër.

Haxhi Qemal Osmani vjen me një rrëfim interesantë për Open-TV.

Fillimi shumë i vështirë

-Unë në Zvicër kam ardhur në vitin 1979. Fillimi ka qenë tepër i vështirë. Nuk dinim gjuhë. Punën nuk e njihnim, puna ishte e rëndë, sepse unë në Kumanovë kam punuar si rrobaqepës, ndërsa këtu kur erdha fillova të punoj në ndërtimtari, por puna më dukej shumë e rëndë. Nganjëherë mendoja me vete se si do t’i kaloj nëntë muaj, sepse aq ishte viza e punës. Në atë kohë i thonin ‘garancion’.

Rroga si motivim

Mirëpo, kur e mora rrogën e parë dhe të dytë më erdhi një vullnet, sepse fillova të bëj llogarinë me dinarin në Jugosllavinë e dikurshme. Këtu p.sh. i fitoja nga 2300-2400 ch në muaj dhe kur i shndërroja në dinar bënin shumë. Frangi zvicerian kishte shumë vlerë në atë kohë.

Një shok i tij u bë “sebep” për në Zvicër

-Mua këtu në Zvicër më mori një shok i imi me të cilin ishim ushtar së bashku, Bariu nga fshati Sllupcan. Fillova të punojë në një firmë ndërtimore në Rebstein të kantonit të St. Gallen. Punova një sezon. Tani aty e kemi xhaminë. Aty kam punuar tre vite. Unë këtu u tregova si punëtor i mirë dhe për tre sezone rregullisht siguroja garancionet për nëntë muaj punë, ndërsa në 3 muaj të dimrit vinim për pushime në Kumanovë.

Por, në sezonin e katërt firma ku punoja nuk ma siguroi vizën e punës. Zakonisht vizat e punës fillonin nga muaji mars dhe zgjatnin deri në fund të dhjetorit, ndërsa unë meqë nuk mu bë viza në kohë, erdha në muajim maj. Dhe, kur erdha shkova te firma për të kërkuar një vërtetim se për çfarë arsye nuk mu lejua viza. Ata më thanë se nuk kanë pasur punë. Unë pastaj erdha në Oberriet te një firmë tjetër ndërtimore dhe bëra vizën e punës. Këtu erdha dhe mbeta edhe sot e kësaj dite-42 vite. Te firma e re punova për shtatë sezone dhe tre sezone te firma e parë u bënë dhjetë vite punë. Në vitin e nëntë të punës unë u pajisa me vizë ‘B’, ndërsa kur i bëra dhjetë vite punë u pajisa edhe me vizën ‘C’. Pastaj mu dha e drejta që t’i marrë me vete fëmijët.
Në Zvicër kam jetuar i vetëm për nëntë sezone. E mbajë në mend se kam ardhur atë vit kur u pata martuar, dmth në vitin 1979 dhe disa muaj pasi u martova mora rrugën e kurbetit.


Bashkimi me familjen ia lehtësoi jetën në Zvicër

-Por, pasi mora vizën, ardhja e familjës ma ndryshoi tërësishtë jetën, sepse ne në atë kohë jetonim në kushte të vështira. Vet e përgatitnim ushqimin, i pastronim rrobat. Ishim vetëm burra në atë kohë. Më herët, këtu në Zvicër ligji nuk lejonte që të marrësh edhe familjen, sepse kishim vizë sezonale dhe jo vjetore.

 

Asnjëherë s’e kishte paramenduar që do të mbetet 42 vite në Zvicër
-Unë kurrë se kam menduar vetën se do t’i bëj këtu 42 vite jetë. Ne mendonim që të ktheheshim pas dy vitesh. Mirëpo, më pas erdhi edhe vëllai im, i cili sot nuk jeton. Ne planifikonim që të blejmë tokë, dhe patëm blerë. Patëm blerë dhe traktorë, sepse bënim plane që të ktheheshim, mirëpo s’kishte qenë e shkruar. Shteti nuk na ofroi kurrfarë kushtesh atje.


Kurbeti dikur dhe sot
-Sot në krahasin me kohën kur unë pata ardhur në fillim mund të them se jeta ka ndryshuar për 80 për qind. Kurbeti dikur ishte i vështirë, kurse sot është më i lehtë. Tani teknologjia ka ecur larg. U zbuluan telefonët, janë aeroplanët. Në kohën time kemi udhëtuar me trenë, në pushime shkonim rrallë, pothuajse në gjashtë muaj. Sot kemi krijuar familje këtu, kemi blerë banesa, i kemi shkolluar fëmijët. Ndërsa, për shqiptarët që kanë lindur këtu jeta është shumë më e mirë. Shqiptarët kanë hapur biznese të ndryshme, punojnë nëpër institucione shtetërore, ndërsa në kohën time kjo ka qemë e paimagjinueshme.

 

Jeta në pension, herë këtu, herë në vendlindje
-Tani ka një vit e gjysmë që kam dal në pension. Po kalojmë mirë. E falënderoj Zotin që edhe me shëndet jam mirë. Jetën tani po e kaloj me nipa dhe mbesa. Zoti na ka falë mjaftueshëm dhe unë e bashkëshortja jemi të kënaqur. Të them të drejtën më shumë kohë kalojmë këtu në Zvicër, pasi këtu i kam të gjithë: vajzat, nipërit, mbesat, vëllain dhe shumë miq dhe familjarë të tjerë, ndërsa gjatë verës vijmë për pushime në Kumanovë. Për në fund shfrytëzoj rastin që të gjithë besimtarëve mysliman t’ju uroj muajin e bekuar të Ramazanit. /Open-TV/