Studentët e ‘VLEN’ nuk mund të marrin pjesë, ata të ‘BDI-së’ po – Çka e karakterizoi sot debatin me Osmanin në UT?
Me akuza për politizim të Universitetit të Tetovës dhe shkelje të së drejtës së tyre si studentë për të marrë pjesë në debatin e sotëm me Ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, rinia e Lidhjes Evropiane për Ndryshim, protestuan përpara dyerve të Universitetit të Tetovës, shkruan Alsat.
Akuzuan UT-në dhe Osmanin se gjatë natës kanë caktuar se kush mund dhe kush nuk mund të merr pjesë në debatin e sotëm.
“Këta kanë ardhur për interesa të tyre personale e politike. Studentët janë zgjedhur se kush mund të hyjë në Universitet, pra, vetëm ata që janë të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ne jemi kundër kësaj sepse edhe ne jemi studentë dhe duam të drejtat tona, e jo vetëm ata që janë të BDI-së ta presin Bujar Osmanin, ashtu të selektum. Këta janë shkaktar që rinia po ik nga vendi jonë e vet këta janë shkaktar për ikjen e rinisë edhe pse kanë ardhur të tregojnë se këtu qenka më mirë”, tha Bergin Islami, LEN.
Por edhe përkundër akuzave të lëshuara nga rinia e LEN-it, për ministrin e Jashtëm Bujar Osmani mbajtja e kësaj ligjërate nuk është politike.
“Nuk jam këtu si kandidat sepse ende nuk jam i nominuar, e dini se nominimi bëhet me 18 mars, e unë këtu jam si ministër i Jashtëm dhe kjo është pjesë e aktivitetit që kam nisur më herët dhe ligjëroj nëpër OJQ, bashkëbisedojmë me njerëzit dhe cikli tjetër nëpër universitete, e normal ku do filloj nëse jo në UT, nëna e universiteteve në gjuhën shqipe në Maqedoni të Veriut, andaj edhe do jetë edhe në universitete tjera dhe kjo s’ka të bëj fare me aktivitet partiak se jam këtu si Ministër i Punëve të Jashtme”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Kanë reaguar edhe profesorët e Universitetit të Tetovës. Profesori Bashkim Ziberi, akuzon BDI-në se po e kthen Universitetin e Tetovës në shtab partiak të tyre dhe pjesë të agjendës politike.
“Mund të konsideroj lirisht që UT edhe zyrtarisht ka hyrë në agjendën e pazareve dhe diskutimeve e politikave ditore. Disa herë unë kam apeluar por këto apele kanë hasur në veshë të shurdhër. Nuk mund të vjen sot Bujar Osmani sot e të flas për mbajtjen e rinisë këtu kur 20 vjet nuk ka pasur asnjë strategji apo program për mbajtjen e rinisë këtu apo kthimin e trurit nga jashtë”, u shpreh Bashkim Ziberi, profesor universitar.
Profesori i UT Arianit Reka, është shprehur me këtë rast se politizimi i skajshëm i UT-së, ka të bëj kryesisht me kapjen e drejtuesve të tij, të cilët i kanë borxh politikës andaj dhe po e dekorojnë çdo politikan të BDI-së.
“Unë nuk mendoj që universiteti është skajshmërish i politizuar por totalisht i politizuar. Këta nuk sillen sikur universiteti është pronë e popullit, por sikur këta kanë marrë letër nga kadastra dhe e kanë nën pronësi të tyre. Nuk është diçka që ne e çmojmë nuk na pëlqen aspak dhe kjo duhet të reflektoj nga udhëheqësia…..Para ca ditësh ndodhi që UT i dha çmim kryeministrit teknik që është e papranueshme ti jepet atij personi një çmim i tillë kombëtar. Po të ishte ndonjë çmim që jep Ministria e Mbrojtjes për përkushtim në ARM apo JNA po, por për shkencë ti jepet në Universitet është e papranueshme”, tha Arianit Reka, profesor në UT.
Ndarja e çmimeve nga Senati i Universitetit për politikanët nuk ndodh për herë të parë.
Filloi me kreun e BDI-së Ali Ahmeti, të cilit më 17 dhjetor të vitit 2020, iu nda çmimi Doktor Honoris Causa, që më pastaj të vazhdojë edhe me Talat Xhaferin, të cilit iu dha çmimi kombëtar “Fadil Sulejmani”, gjë kjo që nuk është praktikë e dekorimit të politikanëve me çmime akademike as nga universiteti “Kirili e Metodij”, as nga “Goce Dellçev” e as nga universitetet tjera private në vend./ Alsat.mk