May 20, 2024
Maqedoni

Studentët e UT-së, pjesë e projektit “Të menduarit e projektimit në kërkimin e zgjidhjeve inovative në një mjedis ndërkombëtar”

Studentët e Programit studimor Financa dhe Kontabiliteti i Fakultetit Ekonomik, prej 14 – 26 prill 2023, morën pjesë në projektin “Të menduarit e projektimit në kërkimin e zgjidhjeve inovative në një mjedis ndërkombëtar”, që u realizua në Universitetin Politeknik të Lodzit në Poloni.
Në këtë projekt arsimor ndërkombëtar, studentët e Universitetit të Tetovës, Elida Ibrahimi, Rudina Etemi, Erudit Fetahu, Ardian Kasami dhe studentë të tjerë, bashkë me mentorë nga universitete të vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim, duke nisur nga vendet e Ballkanit, si: Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi, Rumania, Ukraina, Letonia, Gjermania, Malta dhe Spanja, përfshirë edhe ligjërues nga Republika e Kosovës, Turqia dhe Italia, ku ligjëratat u zhvilluan në mënyrë hibride, në variantin online dhe më prezencë fizike.
Nga Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti Ekonomik, Prof. Dr. Sheherzade Murati, e mbajti ligjëratën me titull: “Kuadri ligjor për përgatitjen e mjedisit për ndërmarrjet e qëndrueshme në Maqedoninë e Veriut”. Ekonomia e lirë e tregut është e themeluar mbi bazat e qëndrueshmërisë së ndërmarrjeve, është dhe vazhdon të jetë një nga prioritetet kyçe të Maqedonisë së Veriut. Rritja e qëndrueshme e kompanive dinamike, inovative dhe rezistuese kryesisht ndikohen nga mjedisi në të cilin ato veprojnë. Republika e Maqedonisë së Veriut fokusohet në përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve në të cilat operojnë dhe veprojnë kompanitë vendase, si dhe në krijimin e një ekosistemi për ndërmarrjet e qëndrueshme. Krahas ligjëratave dhe punëtorive të ndryshme, projekti në fjalë në programin e tij zhvilloi edhe një vizitë te filiali i kompanisë JTI (Japanese Tobacco International , ku studentët patën mundësinë të ballafaqohen në mënyrë direkte me veprimtarinë operacionale, produktin, organizimin e burimeve njerëzore etj; simulimet kompjuterike duke përdorur softuerin Revas – Business Simulation Games. Simulimi kishte për qëllim krijimin dhe maturimin e një agjencie turistike për pjesën e burimeve njerëzore, financiare, marketingut, menaxhmentit dhe veprimtarisë biznesore.
Përpos angazhimeve akademike dhe profesionale, projekti i lartpërmendur u mundësoi studentëve njohjen me kulturën, vlerat dhe traditat kombëtare polake.