Një grup studentësh të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup kanë dërguar në adresë të PortalitX një reagim ndaj asaj që e quajnë padrejtësi të rëndë. Tashmë disa ditë me radhë ata nuk mund të marrin para nga subvencioni shtetëror për ushqim, pasi administrata e Universitetit i ka regjistruar sikur vijojnë mësimin me korrespodencë, edhe pse janë studentë të rregullt.

Si rezultat i këtij gabimi, një numër i madh studentësh kanë mbetur pa subvencionin e ushqimit studentor, ndihmë e cila për shumë prej tyre është thelbësore për përballimin e kostove të jetesës.

“Ky veprim është i padrejtë dhe fyes për studentët, sepse ne nuk kemi bërë asnjë shkelje, por po ndëshkohemi për lëshimet e të tjerëve. Është e turpshme që në një universitet që mban emrin e Nënës Terezë, studentët të përballen me neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie”, thuhet në reagimin e studentëve.

Studentët kërkojnë që universiteti të pranojë publikisht gabimin dhe të ndërmarrë masa të menjëhershme për ta korrigjuar, në mënyrë që të rikthehet e drejta e tyre për subvencionin ushqimor.

“Kërkojmë drejtësi, respekt dhe trajtim të barabartë”, theksohet në fund të reagimit.

Studentët paralajmërojnë se nëse situata nuk zgjidhet brenda një kohe të arsyeshme, do të ndërmarrin hapa të tjerë për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet kompetente.

sqShqip