Maqedoni

Strugë, qytetarët përgatiten për muajin e Ramazanit

Qytetarët e besimit islam në Strugë kanë filluar përgatitjet për muajin e Ramazanit. Duke pushtuar tregjet dhe marketet, thonë se po blejnë gjërat që duhet për të pritur iftare e begata. Megjithatë, këtë vit duket se muaji ramazan shumë sofra do ti gjejë pak më të zbehura, për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve.

Qytetarët e Strugës këtë të shtunë kanë filluar të blejnë gjërat e nevojshme për përgatitje për muajin ramazan. Thonë se janë të lumtur që po presin muajin e ramazanit, megjithatë mes dëshirës për të ruajtur frymën e ramazanit, për të pasur sa më shumë ushqime në tryezën e iftari, këtë vit do të duhet të reduktojnë listën e blerjeve për shkak të çmimeve të larta.

“Sot është ditë pazari sot blejmë çdo gjë, po i bëjmë përgatitjet njëherë në vjet është, tashi dihet që janë shtrejntë çdo gjë sidomos specat patëllxhanat, të bosh një sallat taze, shtrejnt është po kur do bëhen në bahçet tona se vijnë prej larg.”, u shpreh një qytetar.

“Po po përgatitemi, marrim për të ngrënë për të pirë. Çmimet janë të shtrejnta, për 50 euro blinim disa torba ushqime, kurse tash për 50 euro vetëm një torbë në dorë.”, tha një qytetar.

“Jemi të përgatitur, do përgatitetmi. Çmimet këtu në krahasim atje ku jam unë ka shumë ndryshime, atje bëjnë edhe zbritje, kurse këtu e gjuajnë gjënë dhe sta jep më lirë. Shum ma lir prej ktu, pçër ne që jemi jasht nuk është shumë, por për kta që janë këtu, është shum zor.”, u shpreh një qytetar.

“Po atmosfera ndryshon, jemi krejt në rregull, jemi të kompletuar dhe të përgatitur, çmimet siç e shihni vet nuk jan ata që ishin po da ta reduktojm.”, tha një qytetar.

“Përgatitje po bëjmë, për ramazanin, ishalla na gjen moti gëzuar është pak puna e vështirë se gjendja ekonomike e dimë si është po do e përballojmë. Çmimet e ushqimeve për pensionet tona janë shumë të larta, se me 200 euro qar do bëhet.”, u shpreh një qytetar për TVM2.

Shumë organizata humanitare tashmë kanë filluar të shpërndajnë pakot e ushqimeve për familjet në nevojë. Nga organizata Bamirësit Struganë thonë se këtë vit është rritur dukshëm numri i familjeve që kanë nevojë për ushqime.

“Paketat ushqimore dje që i shpërndam ishim 40 paketa me ushqim dhe ishin diku te 12 paketa me mish, dhe paketat ushqimore mbanin këto nevojat për çdo familje vaj kryp miell dhe gjëra tjera. Zakonisht ato paketa i bëjmë me kupona, ju japim kupona prej 3000 den dhe shkojnë në marketet më të afërta qoftë në fshat dhe qytet dhe ato i marrin gjërat për të cilat kanë nevojë. Kohëve të fundit janë shtuar, në krahasim me vitin tjetër pothuajse ka një rritje prej 40% të familjeve në nevojë.”, tha Shkëlzen Ajrullai nga shoqata “Bamirësit Struganë”.

Përveç pakove ushqimore që tashmë janë shpërndarë, gjatë gjith muajit të ramazanit do të ndihmohen familjet në nevojë në mënyra të ndryshme. Muaji i ramazanit fillon të hënën, më 11 mars. Ndërsa përveç qytetarëve, përgatitjet janë bërë edhe nëpër xhami ku do të falen taravitë.