Gjykata e Strugës ia ndau lëndën për kreun e Komunës së Strugës, Mendi Qyra, gjyqtares Jasna Partalovska. Kjo erdhi pas ngritjes se padisë kundërvajtëse nga ana e policisë pasi kreu i Strugës dhe Komuna si subjekt juridik nuk vendosën flamurin shtetëror në manifestimin e 28 nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, transmeton Portalb.mk.

“Rasti tashmë i është dhënë gjyqtares Jasna Partalovska. Meqenëse ka shumë raste shkeljesh, do të duhet kohë për të marrë një vendim. Procedura është në rrjedhë dhe gjykata ka pranuar kërkesën e policisë”, thonë nga Gjykata Themelore Strugë.

Gjyqtarja Partalovska për Alsat përmes telefonit tha se sapo të shqyrtojë rastin dhe provat e paraqitura, siç kërkohet nga Ligji për Kundërvajtje, dhe nëse plotësohen kushtet, do të caktojë seancë shtesë. Nga Komuna e Strugës nuk komentojnë procedurën ndaj tyre dhe Qyrës. Nëse gjykata përcakton fajësinë, ata përballen me gjoba sipas ligjit. Nga 20 mijë deri në 200 mijë denarë për subjektin juridik dhe nga 10 mijë deri në 30 mijë denarë për personin përgjegjës, në këtë rast kreun e Komunës Mendi Qyrën.

Kujtojmë se më 5 dhjetor, Departamenti i Punëve të Brendshme të Strugës paraqiti kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse kundër personit juridik – Komunës së Strugës, si dhe kundër personit përgjegjës Mendi Qyra (65) nga fshati Bixhevë i Strugës, për veprën e kryer në kundërshtim me nenin 6, dhe të dënueshme sipas nenit 11 të Ligjit për përdorimin e flamujve të komuniteteve në Republikën e Maqedonisë, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në brifingun me gazetarët tha se i kishte dërguar mesazh kryetarit të Strugës, Mendi Qyra, duke shprehur “zhgënjim të thellë”që në Ditën e flamurit shqiptar në këtë komunë, flamuri maqedonas nuk u shfaq, përkrah atij shqiptar.

“Unë personalisht i dërgova mesazh kryetarit të Komunës se isha i zhgënjyer. Ai më bindi se kështu ishte çdo vit, por nuk është ashtu”, tha Mickoski.

Sipas tij, kryetari i komunës kishte shans të dallohej si një kryetar komune jopartiak, një kryetar komune i të gjithë qytetarëve, por nuk e bëri këtë.

Mickoski shtoi se nuk beson se këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në këshillin komunal do ta mbështesin punën e Qyrës.

sqShqip