Komuna e Strugës ka rikonfirmuar përkushtimin për realizimin e Korridorit VIII, duke e cilësuar këtë projekt si domosdoshmëri strategjike për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të qytetit, vendit dhe rajonit. Në një njoftim zyrtar, Komuna thekson se Korridori VIII nuk është çështje zgjedhjeje, por një projekt me ndikim të drejtpërdrejtë në ndërlidhjen infrastrukturore dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, raporton gazeta KOHA.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, vlerëson se realizimi i segmentit Trebenishtë-Qafë Thanë është i domosdoshëm dhe duhet të vazhdojë pa ndërprerje. Sipas tij, institucionet duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe të përgjegjshme, duke gjetur një zgjidhje që balancon nevojat zhvillimore me rekomandimet e UNESCO.
Në këtë drejtim, nga Komuna rikujtojnë se çështja është trajtuar edhe në një takim të nivelit të lartë të mbajtur në Paris gjatë muajit shkurt, ku janë diskutuar mundësitë për harmonizimin e projektit me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë. Komuna e Strugës ka dhënë tashmë një mendim të qartë dhe pozitiv për realizimin e projektit, duke e konsideruar atë thelbësor për të ardhmen e rajonit. Ky qëndrim, sipas njoftimit, i është dorëzuar Ministrisë së Mjedisit Jetësor.
Në funksion të rritjes së transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në proces, Komuna ka mirëpritur iniciativën e kompanisë Bechtel Enka për organizimin e një takimi publik konsultativ. Takimi publik do të mbahet nesër (e martë) në ora 12:00, në sallën e Këshillit të Komunës së Strugës, ku qytetarët dhe palët e interesuara do të kenë mundësi të informohen dhe të japin kontributin e tyre.
Autoritetet lokale theksojnë se mbeten të vendosura që projekti i Korridorit VIII të realizohet, duke e konsideruar atë jo vetëm si investim infrastrukturor, por si drejtim kyç për zhvillimin e ardhshëm të Strugës dhe rajonit përreth. (koha.mk)

