Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka kërkuar falje për incidentet që shënuan seancën parlamentare për rikonstruimin e Qeverisë, pas akuzave për fyerje dhe sulme verbale ndaj deputetëve të BDI nga kandidati për ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq. Sipas opozitës, gjatë pauzës së seancës, Ivan Stoilkoviq ka sulmuar verbalisht deputetë të LSDM-së, ndërsa, Arta Bilalli-Zendeli e BDI, ka bërë të ditur se objekt i sulmit verbal ka qenë edhe deputetja shqiptare Arbana Pasholli.

Deri sa njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se Stolkoviq tregoi “muskujt” nga ana e tij, për BDI konsiderojnë se nuk e tregoi guximin e mjaftueshëm.

E siç teansmeton Portalb, në reagimin e saj, Bilalli-Zendeli e cilësoi sjelljen e Stoilkoviqit si të papranueshme dhe ofenduese.

“Arbana Pasholli sot u sulmua verbalisht nga zëvendëskryeministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Etnike i Qeverisë VMRO-VLEN-ZNAM, Ivan Stoilkoviq, gjatë pauzës së seancës në të cilën ai pritej të zgjidhej ministër i Vetëqeverisjes Lokale. Është kjo një sjellje e papranueshme, jonormale dhe pa dyshim ofenduese, jo vetëm ndaj Arbanës, por ndaj të gjitha nënave, grave, bijave dhe vajzave shqiptare në politikë. Sulmi dhe sjellja e tij ofenduese ndaj një deputeteje shqiptare vetëm sa na i sjell në vëmendje qëndrimet e tij të hapura antishqiptare”, shkroi Bilalli-Zendeli.

" "

Ajo shtoi se Stoilkoviq po zgjidhet ministër i Vetëqeverisjes Lokale me votat e deputetëve të VLEN-it, duke kritikuar edhe përbërjen e koalicionit qeverisës.

Ndërkohë, grupi parlamentar i LSDM-së njoftoi në një konferencë të jashtëzakonshme se Ivan Stoilkoviq gjatë debatit për rindërtimin e Qeverisë kishte fyer edhe deputetët Fatmir Bytyqi dhe Mitko Trajçulleski.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, deklaroi se edhe kryeministri Hristijan Mickoski kishte përdorur gjuhë fyese ndaj deputetëve, duke i quajtur ata “mizogjenë” dhe “plehra”. Ai kritikoi edhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për mungesën e reagimit ndaj zhvillimeve në sallë.

Deputetët e opozitës reaguan pasi, sipas tyre, pas koordinimit me kryetarin e Kuvendit ishte arritur pajtim që të miratohej një konkluzion për dënimin e sjelljes së Stoilkoviqit, por ai nuk kërkoi falje.

Në shenjë revolte, deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët e braktisën seancën në të cilën pritej të votoheshin ministrat e rinj.

“Si rezultat i incidentit në Kuvend me Ivan Stoilkoviqin, ne reaguam në përputhje me paraqitjen dhe sjelljen e tij, duke mbrojtur dinjitetin institucional dhe qëndrimet tona politike. Çdo provokim apo deklaratë që cenon vlerat e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë do të marrë përgjigjen e merituar politike dhe institucionale nga ana jonë”, reaguan nga Aleanca për Shqiptarët.

Pas zhvillimeve, kryeministri Hristijan Mickoski, në fund të debatit dhe para votimit për ministrat e rinj, kërkoi falje për ngjarjet e ndodhura në Kuvend.

“Si kryetar i Qeverisë, dua t’ju kërkoj falje juve, deputetëve dhe qytetarëve që sot ishim dëshmitarë të këtyre ngjarjeve dhe shpresoj që kjo të mos na ndodhë më kurrë”, deklaroi Mickoski.

Më pas, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerësoi se kërcënimet dhe fyerjet e drejtuara ndaj deputetëve nga Mickoski dhe Ivan Stoilkoviq janë shenjë dobësie.

sqShqip