May 7, 2024
Maqedoni

Sqarim nga burime partiake në BDI: Koncertet nuk do të kushtojnë 100 mijë, por 150 mijë euro

BDI për dy ditë radhazi zyrtarisht heshtë se sa do të kushtojnë aktivitetet dhe koncertet për shënimin e 20 vjetorit të themelimit të partisë dhe kush do t’i paguajë ata shpenzime, shkruan Alsat.

Në opinion flitet se vetëm këngëtarët e angazhuar do të paguhen nga 4 000 deri në 8 000 euro, ndërsa të gjitha shpenzimet e aktiviteteve mbërrijnë rreth 100 000 euro.

Alsat dje ka dërguar pyetje konkrete pranë selisë së BDI-së dhe sekretarit organizativ, por akoma nuk ka marrë përgjigje mbi pyetjet e ngritura.

Deri sa zyrtarisht heshtet, burime të larta në BDI kanë pranuar të flasin për disa portale, por insistojnë të mbeten anonimë. Ata sqarojnë se koncertet për 20 vjetorin e kësaj partie nuk do të kushtojnē
100 por 150 mijë euro. Të pyetur nëse frikohen se harxhimet e mëdha në këtë kohë krize mund të ju “kushtojnë shtrenjtë” në zgjedhjet të ardhshme, ata përgjigjen: “Ne kemi kryer shkolla të shumta të propagandës, kur të vijnë zgjedhjet e dimë se si tua marim votat qytetarëve”.

Nderkohë ish-politikani Hysni Shaqiri i vlerëson si të pandershme koncertet në periudhë kur qytetarët ballafaqohen me krizë të thellë ekonomike.

“Një parti e cila ka shumë afera korruptuese, afera me procese të montuara, me vuajtje që i kanë përjetuar numër i madh familjeve, kanë humbur të afërmit tyre nga vrasja, burgosja. Këto janë tani çështje që duken më sepse koha ka kaluar 20 vite. E tani sado që dikush që tani është fajtor dhe përgjegjës e pretendon t’i fshehë me forma të ndryshme, ai vetëm mundet me e rrejt vetveten e me devalvuar edhe më shumë. Jo të merret vetëm me kritika edhe me vlerësim të situatës, por të ketë aksion operativ për të ndryshuar diçka”, tha Hysni Shaqiri, ish-politikan.

Besim Hoda nga OVL-UÇK, në emisionin “Rruga Drejt” deklaroi se BDI-ja u themelua për të kryer misione të tjera, ndërsa tani i përdor qytetarët si ushtarë partiakë.

“Të gjithë këtë premtim pompoz që ia bëjnë elektoratit gjatë fushatave a arrijnë ta materializojnë vetëm duke dëmtuar proceset edukativo-arsimore të shqiptarëve, duke u munduar që këto punësime t’i bëjnë nëpër shkolla, nëpër vende të izoluara ose në komuna të caktuara të shqiptarëve, për të krijuar ushtarë partiak që edhe në zgjedhjet e ardhshme do t’i mbështesin politikisht… BDI u kthye në një strukturë politike kaotike të cilën nuk e dimë e ka ndonjë qëllim konkret politik”, theksoi Besim Hoda, OVL-UÇK.