May 14, 2024
Rajon - Botë

Spitalet në jug të Gazës nuk janë në gjendje “më të mirë se të tjerët në enklavë”

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës, Ashraf al-Qudra, ka deklaruar se të gjitha spitalet në jug të Rripit të Gazës nuk janë në gjendje “më të mirë se të tjerët në enklavën e rrethuar”.

Spitali ‘Shuhada Al-Aqsa’, tha al-Qudra për Anadolu, nuk ofron kujdesin e duhur shëndetësor, sepse ka humbur burimet e tij dhe atje gati po mbaron karburanti dhe si pasojë do të ndalojë së punuari.

“Okupimi zhvendosi personelin mjekësor dhe disa u vranë ose u plagosën. Spitali është kthyer gjithashtu në një strehë, me shumë viktima në korridoret dhe oborret e tij.

Al-Qudra theksoi rëndësinë e krijimit të një “korridori të sigurt humanitar për të ofruar ndihmë mjekësore dhe karburant në spitalet e Gazës”.

Ai kërkoi lejimin e delegacioneve mjekësore për të hyrë në Rripin e Gazës, për të evakuuar ata që janë lënduar dhe për të krijuar spitale në terren për të adresuar kushtet kritike.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Së fundmi, autoritetet në Gaza njoftuan se numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në enklavën e rrethuar që nga 7 tetori është rritur në mbi 13.300, përfshirë 5.600 fëmijë dhe 3.550 gra.

Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.