Thesari i Krimes i kthehet Ukrainës

Një gjykatë holandeze vendosi që një koleksion objektesh arkeologjike nga gadishulli i shumëdiskutuar i Krimesë duhet t’i kthehet Kievit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, përshëndeti atë që e cilësoi si fitore të shumëpritur dhe u shpreh se është mirënjohës ndaj vendimit të drejtë të gjykatës.

“Pas arit skithian, ne do të marrim edhe Krimenë”, tha ai.

Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, pas revolucionit në Ukrainë që rrëzoi nga pushteti ish-presidentin dhe aleatin rus, Viktor Janukoviç.

Aneksimi i Krimesë është si cilësuar si një aksion i padrejtë nga pjesa më e madhe e botës, përfshi Bashkimin Europian, transmeton euronews.albania.

Krimeja ia kishte huazuar objektet arkeologjike muzeut Allard Pierson në Amsterdam në vitin 2014, pak para aneksimit të gadishullit nga Moska.

“Gjykata e Apelit e Amsterdamit ka urdhëruar muzeun Allard Pierson t’i kthejë arin skithian shtetit të Ukrainës”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Koleksioni përbëhet nga 565 objekte, sipas Ministrisë ukrainase të Drejtësisë, mes tyre një helmetë ari e shekullit të katërt para Krishtit dhe një varëse ari e zbukuruar e shekullit të dytë pas Krishtit, që peshojnë më shumë se 1 kg secila.