Respektimi i gjuhës shqipe, identitetit dhe përfaqësimit të drejtë janë detyrime që duhet të zbatohen plotësisht dhe pa ekuivokë, ishte porosia e ministres e jashtme shqiptare Elisa Spiropali në Shkup. Spiropali theksoi se Shqipëria mirëpret dhe inkurajon zbatimin konsekuent të Marrëveshjes së Ohrit.
“Mbi të gjitha Marrëveshja e Ohrit është standard, është barazi reale në të drejta, përfaqësim dhe dinjitet, kështu që unë dua t’ju falënderoj edhe për diskutimin e hapur dhe për udhëheqësinë tuaj dhe garantimin e plotë që marrëdhënia mes dy vendeve tona qëndron edhe mbi këto shtylla të forta të respektimit të minoritetit shtet-formues në Maqedoninë e Veriut dhe minoritetit maqedonas në Shqipëri. Respektimi i gjuhës shqipe, i identitetit etnik dhe përfaqësimit të drejtë janë detyrime që duhen zbatuar plotësisht dhe pa ekuivokë”, deklaroi Elisa Spiropali, Ministre e jashtme e Shqipërisë.
Spiropali më tej tha se Shqipëria e mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, jo vetëm si shtet fqinj, por edhe sepse këtu jeton një komunitet shtetformues shqiptarë, që e arrin pothuajse 30 përqindëshin e popullsisë së përgjithshme. Ndërkohë Mucunski tha se ekziston rreziku i rritjes së europesimizmit te populli i Maqedonisë së Veriut.
“Ajo që mua më shqetëson, disa thonë se rritet euro skepticizmi, unë nuk mendoj se kjo është e saktë, të paktën unë siç i lexoj anketat, por unë e mbështes një tezë se kemi rrezik të rritjes së euro pesimizmit. Ata janë një grup qytetaresh që besojnë se ardhmëria evropiane është e ardhmja e vërtetë për shtetin, por nuk janë të bindur se Evropa do t’i hap dyert për ne. Këtu së bashku duhet të punojmë ta hedhim poshtë atë tezë, që për momentin është shumë kredibile”, tha Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin në një pako drejt rrugës euro-integruese, por derisa Shqipëria hapi 33 kapituj të negociatave, Maqedonia e Veriu ngeci në rrugë, për shkak të mosfutjes së bullgarëve në kushtetutë. /Alsat.mk

