May 25, 2024
Maqedoni

Spasovski: Dallimet rreth amnistisë nuk shkaktojnë krizë brenda koalicionit qeveritar

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot e ka përsëritur qëndrimin e tij se me tekstin ligjor për amnisti nuk do të arrihen efekte.

“Unë e shpreha mendimin tim dhe thashë se ishte mendimi im. Jam i bindur se me tekstin ligjor nuk arrihen efekte dhe se duhet menduar strategjikisht në drejtim të krijimit të kushteve që ata që janë të dënuar t’i vuajnë dënimet dhe jo përmes amnistive të lirohet hapësira në institucionet ndëshkuese-përmirësuese”, tha Spasovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas orës së parë akademike në Fakultetin e Sigurisë në Idrizovë.

I pyetur se cili është qëndrimi i partisë në pushtet për këtë zgjidhje ligjore, tha se qëndrimet politike për këtë zgjidhje ligjore “do të artikulohen nga deputetët në Kuvend”.

Spasovski deklaroi të shtunën se është e panevojshme të miratohet ligji për amnisti dhe se zbatimi i tij nuk do të ndryshojë gjendjen me mbipopullimin e burgjeve. Sipas tij, të amnistuarit, shumë shpesh pas daljes nga burgu i përsërisin aktet.
Për televizionin Kanal 5, Spasovski ka deklaruar se edhe përkundër qëndrimeve të ndryshme për amnistinë, nuk ka krizë brenda koalicionit qeveritar, transmeton Lideri.mk.

Per dallim prej Spasovskit, ish ministri i drejtësisë, tani zv/kryeministër për eurointegrime, ka deklaruar se propozimi për amnisit është propozim i cili duhet shqyrtuar seriozisht./Lideri