Shqipëri

SPAK: Nuk mund ta luftojmë të vetëm korrupsionin

Institucionet në Shqipëri, me përjashtim të policisë, nuk referojnë rastet korruptive pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK). Këtë shqetësim e përcolli kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, gjatë raportimit për punën e institucionit që drejton pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“Përjashtuar policinë e shtetit, institucione të tjera që kanë pjesë të detyrave e kompetencave të tyre dhe luftën kundër korrupsionit, qoftë të nivelit qendror apo lokal nuk referojnë në SPAK veprat penale të natyrës korruptive apo vepra të tjera penale. Ky është shqetësim për SPAK-un, pasi SPAK i vetëm nuk mund të adresojë dhe përballojë luftën kundër korrupsionit”, tha Dumani.

Ai tha se referimi nga këto institucione ka një tendencë të fortë rënieje, që shkon deri në 40 për qind krahasuar me vitin 2022, ndërsa SPAK-u i ka rritur procedimet e reja penale me 16 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë.

Edhe pse e konsideroi shumë të mirë bashkëpunimin me policinë, Dumani tha se disa dosje nuk mund t’i hetojnë së bashku.

“Janë një kategori çështjesh që ne nuk mund t’i hetojmë me policinë e shtetit, sidomos ata kur përfshihen punonjësit e policisë së shtetit. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta, kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me Byronë Kombëtare të Hetimit”, tha kreu i SPAK-ut.

Sa i përket shifrave që tregojnë punën e SPAK-ut, Dumani tha se gjatë vitit të kaluar ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë për herë të parë janë regjistruar tetë procedime penale me 18 persona në hetim me funksion, ish-kryeministër, ish-ministra, kryetar bashkish si dhe ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë. Dumani tha se gjatë 2023 janë regjistruar 201 procedime penale për korrupsionin, 85 procedime për krimin e organizuar, 13 procedime për terrorizmin, kjo falë edhe ngritjes së dhjetë skuadrave të reja të përbashkëta hetimore, ndërsa 25 të tilla kanë qenë.

Ndërkohë përfaqësues të Administratës amerikane kundër Drogës (DEA) dhe ata të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) janë atashuar pranë SPAK-ut.

Dumani shprehu shqetësimin dhe për ngarkesën në punën për shkak të mungesës së hetuesve.
“Prokurori në një vend tjetër nuk kryen hetimet, kontrollon punën e hetuesit. Ne jemi kthyer në punëtor krahu, bëjmë çdo gjë vetë”, tha kreu i SPAK-ut.

Dumani kërkoi që të ndryshojë edhe kufiri monetar që përcakton se cila prokurori e heton një vepër penale që lidhet me korrupsionin.

“Kufiri monetar është prej 50 mijë lekësh. Ky kufi duhet të jetë shumë më i lartë. Nuk është e thënë që këtë kategori ta hetojë vetëm SPAK për një kufi të ulët monetar. Këtë ndryshim e shoh si shumë emergjent”, tha Dumani para Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Dumani kërkoi ndryshimin e ligjit për prokurorët e SPAK-ut me qëllim që ata të kenë mundësi për rikandidim pas mbarimit të mandatit. Kjo për faktin se sipas ligjit në përfundim të mandatit 9-vjeçar, sipas ligjit duhet të kthehen në prokuroritë ku kanë ushtruar më herët profesionin e tyre. Por, pas ndryshimeve që pësoi harta gjyqësore, disa prej këtyre prokurorive janë mbyllur. Ai i cilësoi si asete prokurorët për të cilët kanë investuar shteti shqiptar dhe ndërkombëtarët, ndaj kërkoi ndërhyrje në ligj që t’u jepet mundësia për të rikandiduar për një tjetër mandat në SPAK.

Aktualisht SPAK po zhvillon hetime për korrupsion për ish-kryeministrin, Sali Berisha, ish-ministrat, Ilir Beqja, Arben Ahmetaj si dhe zyrtarë të tjerë të nivelit qendror dhe vendor. /REL/