Maqedoni

Sot shënohet dita botërore e luftës kundër Tuberkulozit, MSH shpërndanë material informues

DITA BOTËRORE E LUFTËS KUNDËR TUBERKULOZIT
Mund të tingëllojë si një sëmundje e së kaluarës, por tuberkulozi (TB) është ende një problem edhe sot. Si me të gjitha kushtet shëndetësore, parandalimi është gjithmonë më i mirë se kurimi. Edhe pse nuk ka asnjë mënyrë të sigurt për të parandaluar plotësisht përhapjen e tuberkulozit në këtë kohë, ka një sërë masash që mund të merren për të reduktuar përhapjen e sëmundjes.
Tuberkulozi është një sëmundje e shërueshme e shkaktuar nga infeksioni me bakterin Mycobacterium tuberculosis. Sëmundja zakonisht dëmton mushkëritë, por ndonjëherë mund të dëmtojë edhe pjesë të tjera të trupit, për shembull, gjëndrat limfatike, veshkat, kockat etj. Vaksina BcG mbron nga format e rënda të tuberkulozit dhe është e sigurt dhe efektive, veçanërisht për fëmijët.
⭕ Si përhapet tuberkulozi?
Një person që ka formën aktive të sëmundjes në mushkëri, mund ta përhapë atë nëpërmjet ajrit tek njerëzit e tjerë me të cilët është në kontakt të ngushtë.
Kur personat e infektuar nga forma aktive e sëmundjes kolliten, teshtin ose pështyjnë, ata hedhin bacilet-mikrobet e tuberkulozit në ajër. Një person duhet të thithë vetëm disa nga këto bakterie për t’u infektuar. “Aktiv” do të thotë që mikrobet e tuberkulozit po shumohen dhe përhapen në trupin tuaj. Ndaj mjekët këshillojnë ata që kanë tuberkuloz aktiv të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi dhe larg personave të tjerë, derisa të mos jenë më ngjitës për mjedisin. Rreth një e katërta e popullsisë së botës ka TB latente, që do të thotë se njerëzit janë infektuar me bakteret e tuberkulozit, por ata nuk janë ende të infektuar me këtë sëmundje dhe nuk mund ta transmetojnë atë.
⭕ Si ta njohim atë?
Kur një person zhvillon sëmundje aktive të TB-së, simptoma të tilla si ethe, kollë, djersitje gjatë natës ose humbje peshe mund të jenë të lehta-të panjohura për disa muaj.
⭕ Si të parandalohet transmetimi?
Nëse keni një formë aktive të tuberkulozit, duhet të trajtoheni menjëherë. Kjo mund të përfshijë marrjen e një numri më të madh ilaçesh antibiotike për 6 deri në 12 muaj. Është e rëndësishme që të merrni të gjitha medikamentet tuaja siç përshkruhet nga mjeku juaj për të gjithë periudhën kohore – edhe nëse ndiheni më mirë.
Nëse keni TB latente, nuk mund ta përhapni sëmundjen te të tjerët, por mjeku juaj mund të rekomandojë gjithsesi që të merrni ilaçe për të parandaluar që bakteret të bëhen aktive.
Ndiqni këto këshilla për të parandaluar që të tjerët të marrin TB gjatë javëve të para të trajtimit tuaj ose derisa mjeku juaj të thotë se nuk jeni më ngjitës:
• Merrni të gjitha medikamentet tuaja rregullisht siç ju përshkruhet, derisa mjeku juaj të vendosë t’a ndërpresë terapinë
• Shkoni për kontrolle të rregullta me mjekun tuaj
• Gjithmonë mbuloni gojën me një pecetë kur kolliteni ose teshtini. Vendoseni të njëjtin pecetë në një qese për ta izoluar dhe më pas hidheni.
• Lani duart pas kollitjes ose teshtitjes.
• Mos vizitoni njerëz të tjerë dhe mos i ftoni ata t’ju vizitojnë.
• Qëndroni në shtëpi. Mos shkoni në punë, shkollë apo vende të tjera publike.
• Përdorni një ventilator ose dritare të hapura për të qarkulluar ajrin e pastër në të gjithë dhomën po qëndroni.
• Mos përdorni transportin publik.