July 27, 2024
Maqedoni

Ja vlejti pritja, Aleanca formoi superekipën fituese për Tetovën

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela pas zgjedhjes së kandidatit për Tetovën, Vullnet Murseli, i pret beteja më e rëndësishme për fatin e këtij qyteti.

“Ideja e fitores nuk është ideja e fitores të një emri të përveçëm, por ideja e fitores së konceptit politik. Tetova e do ndryshimin dhe bashkë me qytetarët e Tetovës ne duhet ti themi stop talljes e nënqeshjes që na bëjnë këta që sa vite e qeverisin Komunën e Tetovës, duke na thënë se tani e kanë vendosur t’i thonë stop hajnisë”, tha Sela në fjalën e tij para kuvendarëve.

Vullnet Murseli dje mori besimin e Kuvendit të degës së ASH në Tetovë për të garuar për kryetar komune në këtë komunë.

Kush është Vullnet Murseli?

Vullnet Murseli është i lindur në Tetovë, në një familje me origjinë nga fshati Lisec. Është i martuar, dhe baba i dy djemve. Ka mbaruar Fakultetin Juridik, si dhe është Magjistër i Shkencave për Shëndet Publik. Pas studimeve të magjistraturës ka dhënë provimin e jurispodencës. Ka 25 vite përvojë pune në sektorin privat dhe atë publik.

Aktualisht është drejtor i Sektorit për Implementimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare të aspektit Social- në Fondin për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë së Veriut.

Njëkohësisht është pronar i laboratorëve diagnostik LAOR në Tetovë. Është anëtar i Aleancës për Shqiptarët qe tre vite ku vazhdon të japë kontributin tim në shumë sfera.

Përndryshe, Murseli do të jetë në garë për të parin e komunës me Teuta Arifi – BDI, Bilall Kasami – Lëvizja Besa, Sadi Bexheti – PDSH. Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.