KulturëMaqedoni

Sot promovohet libri “Gjurmë dhe ngjyra kohe“ i shkrimtarit të njohur, Fejzi Bojku

Ju njoftojmë se sot (17.10.2023) në ora 18:00 në Hamamin e Daut Pashës në Shkup do të promovohet libri “GJURMË DHE NGJYRA KOHE”-Kronikë e gazetës Flaka e vëllazërimit ( 35 vite: 4 prill 1945- 4 maj 1980 ) nga autori FEJZI BOJKU.

Për librin do flasin promotorët e librit:
-Akademik Ali Aliu, shkrimtari Kim Mehmeti, shkrimtari dhe gazetari Daut Dauti, profesori dhe gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese Prof. Dr. Osman Kadriu dhe ish rektori i UNT-së Prof. Dr Azis Pollozhani.

-Promovimin do ta hapë me fjalë përshëndetëse Dita Starova, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të RMV-së.

Një fragment nga recensioni i shkrimtarit Kim Mehmeti për librin “Gjurmë dhe ngjyra kohe”

Libri i Fejzi Bojkut: “GJURMË DHE NGJYRA KOHE” përbëhet nga shkrime të autorit, vështrime, komente, artikuj për numra të gazetës shumë vite me emrin “Flaka e Vllaznimit” dhe pastaj ‘Flaka e vëllazërimit’ dhe nga shkrime, fragmente, artikuj, shembuj karakteristikë për ngjarjet më të rëndësishme nga gazetat e grumbulluara mbi 35 vite, e që bashkërisht të mundësojnë t’i shfletosësh dekadat socialiste të Maqedonisë dhe të shqiptarëve në të. Dhe si e tillë kjo kronikë voluminoze ( 1000 faqe) pagabueshëm shpërfaq të vërtetën se çka ndriçoi e çka dogji “Flaka e vëllazërimit”, siç qartëson edhe atë se cilët ishin ata që e mbajtën të kallur atë flakë që u ndezë me 4 prill të vitit 1945 dhe deri më 4 maj 1980 dhe në njëfarë mënyre përfundimisht deri në shuarjen e saj në vitin 2004…
Librin duhet parë nga këndvështrimi i një kontributi të veçantë që ka të bëjë me ruajtjen e të vërtetave për të shkuarën tonë si dhe kontribut i çmuar për ta kultivuar vetëdijen se e vërteta për ne dhe për të tjerët nuk është ajo që thuhet por ajo që shkruhet. Pra ky libër është një monument i dyfishtë i cili shpërfaq rrugëtimin socialistë të shqiptarëve të Maqedonisë si dhe pikturon edhe portretin e autorit, portret që shpërfaq fytyrën e njerëzve që të heshtur, por të përkushtuar, popullit të vet ia japin më të vlefshmen që kanë. Pra ky libër shpërfaq edhe të vërtetën se e ardhmja e një populli qëndron edhe mbi supet e atyre që bëjnë çmos që të mos harrohet e shkuara e tij, të atyre që janë më shumë seç duken, që mbase i mbulon zhurma e të tjerëve, por i lartëson vepra që lënë pas vetes.
Dhe librat e këtillë, libra si ky i Fejzi Bojkut që kanë të bëjnë me mbamendjen kolektive nuk i zhbën as koha as harresa. Përkundrazi, vlerat e librit të kësaj natyre rriten me kalimin e kohës, me ardhjen e brezave të rinj që do duan të dinë diçka më shumë për të shkuarën e të parëve të vet, e për të cilën të shkuar nuk ka thuajse asnjë gjurmë nëpër faqet e internetit sepse të gjitha të vërtetat shkruheshin në letër e shtypeshin nëpër shtypshkronja. Ky libër pra mbanë peshën e kronikës disa-dekadëshe, kronikë pa të cilën gjeneratat e ardhme nuk do mund ta kuptojnë se nga ecën të parët e tyre që të arrihej aty ku janë ata sot.