Shqipëria dhe Italia do të mbajnë sot në Romë Samitin e parë ndërqeveritar, ku tri do jenë çështjet kryesore: mbrojtja, industria dhe emigrantët.

Mbledhja e parë mes qeverive të dy vendeve e cila do të drejtohet nga Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni dhe Kryeministri Edi Rama është konfirmuar nga qeveria italiane përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare ku thuhet se Samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri do të mbahet të enjten, më datë 13 nëntor, ora 11:30.

Ndërsa gazeta italiane “Formiche” ka publikuar një shkrim duke dhënë detaje nga ajo çfarë pritet të ndodhë në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, Shqipëri-Itali.

Shkrimi i publikuar në gazetën italiane “Formiche”:

Italia historikisht ka qenë ndër vendet evropiane më të afërta me Shqipërinë, megjithatë një samit qeveritar nuk është mbajtur kurrë midis dy shteteve.

Më 13 nëntor, Edi Rama dhe Giorgia Meloni “do ta përmbysin këtë trend” kur të takohen në Villa Pamphili, vendi tradicional italian për takime dypalëshe.

Ky takim i shton një dimension të rëndësishëm politikës së jashtme të Romës, me një këndvështrim drejt Ballkanit dhe Mesdheut.

Tirana është në listën e pritjes për anëtarësim në BE dhe po bën hapa të rëndësishëm për të mbushur boshllëqet strukturore. Për më tepër, të dy udhëheqësit mburren me një marrëdhënie të mirëvendosur që mund të ndihmojë vetëm një projekt politik të lindur në gusht të vitit 1991, kur 27 mijë refugjatë shqiptarë gjetën strehim dhe një jetë të re në Itali.

Sot të dy vendet mund të krenohen me disa projekte të hapura, duke përfshirë ato që lidhen me zgjerimin e BE-së, si dhe një rrugë interesante dypalëshe në lidhje me investimet dhe mundësitë e reja, për të mos përmendur qendrat e pritjes të ngritura përtej Adriatikut.

Më 16 maj të vitit të kaluar, gjatë takimit në Tiranë midis Melonit dhe Ramës, u nënshkrua një deklaratë e përbashkët në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, duke riafirmuar interesin e tyre të fortë të ndërsjellë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe me qëllim pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Të dy vendet kanë një themel të fortë të përbashkët në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit të 13 tetorit 1995, si dhe Deklaratën e Partneritetit Strategjik të 12 shkurtit 2010 dhe Protokollin për Forcimin e Bashkëpunimit për Migracionin të 6 nëntorit 2023.

Mbledhja e parë ndërqeveritare Itali-Shqipëri e mbajtur në Romë është vazhdimi natyror i kësaj marrëdhënieje.

sqShqip