May 4, 2024
Kolumna

SOLIDARITETI ËSHTË RISHPËRNDARJE E FITIMIT SHTESË PËR PËRKRAHJE TË QYTETARËVE DHE EKONOMISË

Nga: Fatmir Besimi, Ministër i Financave në Qeverinë e RMV

29 korrik 2023, Shkup – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 22 dhjetor 2005, me Rezolutën 60/209, e përcaktoi solidaritetin si një nga vlerat fundamentale dhe universale që duhet të jetë baza e marrëdhënieve mes njerëzve në shekullin e 21 dhe lidhur me këtë vendosi që 20 dhjetori të shënohet çdo vit si Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor. Në muajin dhjetor të vitit 2022, me koicidencë, filluam debatet dhe konsultimet publike për tatimin e solidaritetit.

Koncepti i tatimit të solidaritetit bazohet në trinitetin – komunitet, përgjegjësi shoqërore dhe drejtësi. Këto janë tre parime ose tre shtylla mbi të cilat bazohet zgjidhja.

Komuniteti: Pothuajse dy miliardë euro nga buxheti i shtetit gjatë tre viteve të fundit u destinuan për masa për ekonominë dhe qytetarët që kishin nevojë për përkrahje. Këto ishin mjete nga të gjithë ne, obliguesit tatimorë, për ata që kishin më shumë nevojë. Në këtë mënyrë u ruajt fuqia blerëse dhe u përmirësua aftësia kredituese dhe pagesore e shumë qytetarëve tanë, ndërsa kategorive të kompanive që patën nevojë u mundësoi vazhdimin e aktiviteteve të tyre të përditshme afariste. Përndryshe, recesioni do të ishte shumë më i thellë dhe papunësia do të kishte devijuar nga trendi aktual rënës dhe do të ishte në nivel shumë më të lartë. Tatimi i solidaritetit ka pikërisht këtë qëllim – të sigurojë mjete për programin P1 në buxhet (ose i njohur për publikun si programi antikrizë), përmes të cilit janë paguar dhe do të paguhen të gjitha masat antikrizë. Edhe pse sipas teorisë ekonomike, tatimet janë të hyra të padestinuara (për qëllime të përgjithshme), megjithatë të hyrat nga tatimi i solidaritetit, si tatim i jashtëzakonshëm dhe i njëhershëm, do të mundësojnë financimin e programit antikrizë.

Përgjegjësia shoqërore: Në periudhë krize, ka gjithmonë veprimtari, sektorë, kompani të caktuara, që përfitojnë nga situatat dhe fitojnë më shumë. Kthimi i një pjese të fitimit, përkrahja e ekonomisë, zhvillimi dhe aspekti social nënkuptojnë përgjegjësi shoqërore. Pikërisht, përgjegjësia shoqërore është përkrhaja e shoqërisë, e cila krijon kushtet e funksionimit dhe të qenurit i suksesshëm.

Drejtësia: Të gjithë duhet ta paguajmë pjesëmarrjen e drejtë të detyrimeve, në mënyrë që ekonomia e përgjithshme dhe shoqëria të mund të prosperojnë. Në thelb, çdo sistem tatimor bazohet në kontributin proporcional mbi të ardhurat/fitimin. Ata që janë më të suksesshëm duhet të hapërojnë përpara dhe të kontribuojnë për të mirën e përbashkët.

“Solidariteti” është dukuri morale që i referohet ndihmës ose bashkëpunimit të ndërsjellë midis individëve dhe grupeve, veçanërisht në rrethana dhe kriza të vështira. Andaj, vlerësoj se emërtimi i “Ligjit të Tatimit të Solidaritetit” i përshtatet shumë zgjidhjes ligjore të cilën e diskutojmë në Kuvend, ku emërtimi i punës së të cilit fillimisht ishte Ligji i Tatimit Shtesë mbi Fitimin (fitimi ekstra).

Përgjatë historisë ekonomike, të kohëve të fundit dhe asaj paraprake, ekzistojnë shumë shembuj lidhur me tatimin e solidaritetit. Franca në vitet 80-ta, Gjermania në vitet 90-ta të shekullit të kaluar dhe së fundmi Franca, Spanja, Kroacia, Hungaria, Italia, Polonia, Çekia, Belgjika etj. Tatimi i solidaritetit ose tatimi solidar është detyrim i përcaktuar nga shteti për financimin e ndonjë projekti ose qëllimi që bashkon interesat e përgjithshme. Kështu, në Francë, të hyrat e larta ose vlerat e larta të pronës tatimohen me tatim të solidaritetit. Në Gjermani, tatimi i solidaritetit u vendos për rindërtimin e Gjermanisë Lindore dhe për mbledhjen e fondeve për përkrahje ekonomike. Me rritjen e lartë të çmimeve në sektorin energjetik vitin e kaluar, disa vende evropiane njoftuan dhe zbatuan ligje solidariteti, ndërsa të tanguara ishin kompanitë që lulëzuan gjatë asaj periudhe (por këta shembuj do t’i elaboroj më poshtë në tekst). Ajo që dua ta nënvizoj është fakti se tatimet e solidaritetit janë zbatuar gjatë historisë dhe zbatohen ende nga shumica e vendeve. Ato kanë për qëllim të ndihmojnë dhe përkrahin kauzë të caktuar që lidhet me përmirësimin e gjendjes në ekonomi dhe shoqëri.

Për arritjen e pikësynimeve të qëndrueshmërisë fiskale nëpërmjet konsolidimit fiskal, që nënkupton ndër të tjera edhe përmirësimin e inkasimit të të hyrave, vitin e kaluar, pas konsultimeve të shumta me komunitetin afarsit, ekspertët dhe atë ndërkombëtar, filluam zbatimin e reformës tatimore, e cila bazohet në zgjerimin e bazës tatimore. Reforma tatimore është proces i gjerë që do të realizohet në disa faza, por që bazohet kryesisht në parimet e drejtësisë. Sa i përket këtij këndvështrimi, kam shkruar në kolumnat e mia paraprake.

Harmonizimi i rregullativës evropiane dhe ndjekja e rekomandimeve të FMN-së

Tatimi i solidaritetit, i cili është tatim i njëhershëm është pjesë e këtij procesi. Ky propozim rezultoi nga Strategjia e reformës tatimore dhe nga Rregullativa e Këshillit të BE-së (2022/1854), e miratuar më 6 tetor 2022 për zgjidhjen e problemit të çmimeve të larta të energjisë. Rregullativa parasheh zbatimin e masave të jashtëzakonshme dhe të kufizuara kohore, duke përfshirë kontributin e solidaritetit të përkohshëm dhe të domosdoshëm nga kompanitë fitimprurëse në sektorin energjetik. Disa shtete anëtare të BE-së, në përputhje me rregullativën e miratuar, iu qasen ndryshimeve ligjore për detyrime shtesë të njëhershme për subjektet nga sektori energjetik me fitime ekstra. Por gjithashtu, si pasojë e krizës së çmimeve, shumë vende të BE-së vendosën detyrime shtesë si fitim ekstra edhe për kompanitë nga veprimaritë të tjera (Kroacia, Hungaria dhe të tjera). Në lidhje me rrethanat e krizës së kohës së Covid-it dhe krizës energjetike, në disa studime dhe analiza të FMN-së ka pasur edhe rekomandime për tatimin e solidaritetit:

Procesi inkluziv: Konsultimet me komunitetin e biznesit dhe opozitën

Pas hartimit të propozimit të zgjidhjes lidhur me tatimin e solidaritetit, sipas shembullit të disa vendeve të BE-së, gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Financave zhvilloi proces konsultimi inkluziv me komunitetin afarist. Fillimisht, Draftin e tekstit të propozimit të ligjit ia dorëzuam odave për shqyrtim dhe më 23 dhjetor të vitit 2022 në Ministrinë e Financave u zhvillua takim me përfaqësuesit e shoqatave më të mëdha të odave. Gjatë takimit prezantuam propozimin e zgjidhjes, arsyet e propozimit, shpjeguam bazat e Rregullativës së Këshillit të BE-së, si dhe Propozimin e Ligjit të Solidaritetit të Kroacisë, i cili është më i përafërt me ligjin tonë. Përfaqësuesit e odave ekonomike shprehën mirëkuptim për situatën në vend, duke marrë parasysh pakot e masave në drejtim të përkrahjes së ekonomisë me të cilat ndërhyri Qeveria në periudhën e kaluar, si dhe u theksua se kompanitë e mëdha duhet të solidarizohen me buxhetin dhe subjektet më të vogla ekonomike në rrethana të tilla të vështira. Në procesin e hartimit të zgjidhjes ligjore u involvuan edhe përfaqësuesit e komunitetit afarist. Ata diskutuan, para dhe pas takimit u prezantuan propozimet për përmirësimin e propozimtligjin në fjalë. Krahas komunitetit afarist, në interes të komunikimit të ligjit me të gjithë pjesëmarrësit shoqërorë, zhvilluam takim edhe me partinë më të madhe opozitare.

Kujt i referohet dhe si përllogaritet tatimi i solidaritetit?

Pas përfundimit të procesit të konsultimit, i shqyrtuam propozimet dhe integruam një pjesë të madhe të tyre në zgjidhjen ligjore. Sipas kësaj zgjidhjeje, tatimi i solidaritetit paguhet nga obliguesi i tatimit mbi fitimin, i cili në vitin 2022 ka gjeneruar të hyra të përgjithshme më të larta se 615 milionë denarë (10 milionë euro). Baza tatimore për tatimin mbi fitimin është fitimi pas të gjitha lirimeve, duke përfshirë lirimin për fitimet e riinvestuara. Baza tatimore për tatimin e solidaritetit është fitimi pas lirimit të realizuar për vitin 2022 ose mesatarja e viteve 2021 dhe 2022 (merret varianti më i favorshëm për ndërmarrjen) nëse është më shumë se mesatarja e fitimit në tre vitet e fundit të rritur për 20%, duke filluar nga viti 2017, pa marrë parasysh vitin e pandemisë 2020. Tatimi për këtë shumë është 30% dhe do të paguhet vetëm një herë, respektivisht vetëm këtë vit. Për shembull, nëse ndërmarrja ka pasur fitim prej tre milionë eurove në vitin 2022, ndërsa ka riinvestuar një milionë euro, baza tatimore për fitimin është dy milionë euro. Nëse mesatarja për vitin 2021 dhe 2022 e bazës tatimore për fitimin pas lirimeve për ndërmarrjen e njëjtë është katër milionë euro, atëherë për llogaritjen e tatimit të solidaritetit merret baza më e ulët tatimore, respektivisht dy milionë euro fitim pas lirimeve, të realizuar në vitin 2022. Sipas metodologjisë së tatimit të solidaritetit, me përzgjedhjen e vitit 2022, si krahasim merret mesatarja e fitimit pas lirimeve për tre vite (2021, 2019 dhe 2018), të rritur për 20%, respektivisht nëse mesatarja e fitimit në vitin 2021, 2019 dhe 2018 ka qenë një milionë euro si përllogaritje do të konsiderohet 1.2 milionë euro. Baza tatimore për tatimin e solidaritetit është diferenca prej 800 mijë eurove (2.000.000-1.200.000=800.000), me ç’rast tatimi i solidaritetit do të jetë 240 mijë euro (800*30%=240.000) dhe do të konsiderohet si shpenzim në bilancin financiar për vitin 2023.

Dispozita lehtësuese

Mundësia e përzgjedhjes së opsionit më të favorshëm për periudhën e llogaritjes është dispozita lehtësuese për obliguesit tatimorë që gjatë llogaritjes së bazës tatimore ta marrin parasysh periudhën tatimore më të favorshme për ta, që nuk parashihet në ligjin e Kroacisë. Sipas projeksioneve të fundit të efektit fiskal, të kryera mbi bazën e të dhënave reale nga bilancet tatimore për vitin 2022, shteti me vendosjen e kësaj dispozite heq dorë nga të hyrat shtesë në vlerë prej rreth gjysmës së shumës së përgjithshme që mund ta inkasonte nga obliguesit, respektivisht rreth 3 miliardë denarë. Kjo është dëshmi se ne si Qeveri dëgjojmë, jemi të hapur për sugjerime, por edhe veprojmë në mënyrë të drejtë.

Vetë fakti se efekti fiskal i zgjidhjes së propozuar, sipas deklaratave tatimore për vitin 2022, do të ishte 5.5 miliardë denarë, nëse nuk do të ishte paraparë dispozita lehtësuese, me ç’rast kjo prononcon për rritje të lartë të të hyrave në vitin e kaluar. Sipas zgjidhjes ligjore, detyrimi për llogaritjen dhe pagesën e tatimit të solidaritetit përfshin 160 obligues tatimorë, të hyrat vjetore të të cilëve janë mbi 10 milionë euro. Gjithashtu, rritje fitimi kishin të gjithë sektorët e ekonomisë, me ç’rast në vitin 2022 për më shumë se 20% krahasuar me mesataren e periudhave tatimore nga viti 2017 deri në vitin 2019 (me përjashtim të vitit 2020).

Nëse merren parasysh rezultatet e arritura vetëm në vitin 2022, pjesëmarrjen më të madhe në tatimin dhe solidaritetin do ta kenë kompanitë e veprimtarisë lidhur me “prodhimin dhe tregtimin me energji elektrike” me pjesëmarrje prej rreth 40%, rreth 40% janë veprimtaritë financiare, tregtarët të shitjes me shumicë dhe pakicë dhe lojërat e fatiti, si dhe pjesa tjetër prej 20% janë sektorë të tjerë. Nga aspekti i strukturës së veprimtarive, vërehet se në rritjen e të hyrave ka luajtur rol kriza energjetike dhe ajo e çmimeve. Me Ligjin e Tatimit të Solidaritetit, bëhet ridistribuimi i caktuar i të ardhurave nga ata që fitojnë më shumë tek ata që shpenzojnë më shumë gjatë krizës, duke lënë një pjesë të fitimeve për masa antikrizë.

Ridistribuimi për korrigjimin e distorzioneve

Dëshiroj të theksoj, ashtu siç kam cekur paraprakisht se nuk është e pazakontë aspekti që në situata të jashtëzakonshme, kriza, vendet të vendosin taksa me natyrë të përkohshme për korrigjimin e distorzioneve të tregut. Teoria dhe politika ekonomike thonë se tatimet e tilla janë mjet për ridistribuimin e një pjese të të hyrave të larta të papritura që marrin disa kompani për shkak të zhvillimeve të pazakonta në treg apo situatave të jashtëzakonshme. Në fund të muajit dhjetor, Spanja parashikoi vendosjen e tatimit shtesë për sektorin energjetik dhe atë bankar dhe vendosjen e tatimit të solidaritetit të përkohshëm për personat fizikë. Në mesin e vitit 2022, Italia vendosi tatimin e “solidaritetit” të njëhershëm për kompanitë nga sektori energjetik që kishin rritje të shitjeve neto prej së paku 5 milionë eurove. Vitin e kaluar, Hungaria njoftoi gjithashtu për tatimin shtesë mbi fitimin në sektorin energjetik, sektorin financiar, sektorin e telekomunikacionit, linjat ajrore komerciale dhe tregtinë e shitjes me pakicë për periudhën 2022-2023. Sipas Ligjit të Tatimit shtesë mbi Fitimin, të miratuar në muajin dhjetor 2022, Kroacia vendosi tatim mbi fitimin ekstra, ku kompanitë që kanë rritje të fitimit, do të jenë përgjegjëse për këtë tatim, pavarësisht nga veprimtaria me të cilën ushttrojnë, ndërsa mjetet e inkasuara do të destinohen kryesisht për përkrahjen e shfrytëzuesve të fundit të energjisë, veçanërisht për amvisëritë në nevojë.

Normaliteti i ri: Shpëtim dhe rritje

Jetojmë në kohë të krizave të shumta, vazhdimisht për disa vite me radhë, si pandemia e Covid-it, kriza energjitike, kriza e çmimeve, lufta në Ukrainë dhe trazirat gjeopolitike, ndryshimet e larta teknologjike, ristrukturimi i zinxhirëve globalë të vlerës, si dhe ndryshimet klimatike. Në kushtet e reformave të nevojshme për përmirësimin e konkurrencës së ekonomisë sonë dhe integrimin në tregun europian, gjatë krizave nga viti 2020 deri në vitin 2022, vetëm rreth dy miliardë euro u ndanë për masat antikrizë dhe 225 milionë mjete shtesë janë ofruar për vitin 2023 ose gjithsej rreth 18% të mesatares së PBB-së gjatë katër viteve të fundit. Sipas raportit të Bankës Botërore, kjo konsiderohet si përkrahja më e lartë financiare nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat ndër të tjera mbrojtën mbi 80.000 vende pune gjatë Covid-it në mbi 15.000 ndërmarrje. Gjithashtu, kishte përkrahje financiare për mbi 180.000 vende pune, stimuj të ndryshëm financiarë për ekonominë, si dhe kategoritë e ndjeshme të qytetarëve edhe atë mbi 330.000 pensionistë, mbi 80.000 shfrytëzues të asistencës sociale, studentë dhe kategori të tjera të qytetarëve, si dhe subvencionim të energjisë elektrike për rreth 610.000 amvisëri dhe 70.000 konsumatorë të vegjël të ekonomisë, si dhe përkrahje me anë të masave të tjera antikrizë në drejtim të mbrojtjes së standardit të jetesës së qytetarëve dhe luftimit të inflacionit, me ç’rast në muajin qershor arritëm ta zbresim vlerën në shifër njëshifrore prej 9.3% dhe kështu të përgjysmohet krahasuar me atë të muajit tetor të vitit 2022, kur ishte 19.8%.

“Normaliteti i ri” në të cilin jetojmë kërkon qasje tjetër ndaj politikave ekonomike me fokus të njëkohshëm në prioritetet për përkrahjen e rritjes afatmesme dhe reagim të zhdërvjellët për lehtësimin e efekteve të krizave, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik. Shpëtim dhe rritje në të njëjtën kohë.

Solidariteti i BE-së dhe rekomandimet e FMN-së

Në fund, dua të theksoj se përveç solidaritetit dhe drejtësisë, që sigurisht kanë rëndësi të theksuar në miratimin e këtij ligji, kjo zgjidhje është diçka që pritet nga ne. Në konkluzionet e misionit të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se financat publike janë në rrugën e duhur, por se vonesa në zbatimin e reformës tatimore dhe tatimit të solidaritetit mund të ndikojë negativisht në shpenzimet prioritare. Siç theksuan, reforma tatimore duhet të miratohet pa vonesë, duke pasur parasysh procesin e gjatë të konsultimit dhe kjo vlen edhe për tatimin e solidaritetit.

Solidariteti është një nga parimet themelore të Bashkimit Evropian për të cilin përpiqemi. Në shenjë të këtij solidariteti, BE-ja na ndau grant prej 80 milionë eurove për masa antikrizë dhe 100 milionë euro kredi me kushte të favorshme për përkrahje makrofinanciare. Gjithashtu përkrahje siguruam edhe nga Banka Evropiane e Investimeve. Nëse solidariteti ekziston nga ana e obliguesve të tyre tatimorë, të cilët nuk janë pjesë e shoqërisë sonë, përse nuk do të ekzistonte solidariteti edhe nga ana e obliguesve tanë tatimorë, në rastin konkret të kompanive tona të suksesshme që tejkaluan fitimet për 20% vitin e kaluar krahasuar me mesataren e tre viteve paraprake. Kjo është përgjegjësi ndaj shoqërisë sonë, apo përgjegjësi shoqërore, siç e përmenda në fillim të tekstit.

Për ta përmbledhur, do të theksoj se unë si financier i parë po luftoj dhe do të vazhdoj të luftoj për një sistem të qëndrueshëm dhe të drejtë të financave publike, që do të jetë i qëndrueshëm dhe bazë për rritjen ekonomike. Këtu përfshij edhe luftën kundër ekonomisë gri, e cila ndërfutet sa herë që shkruaj për sistemin tatimor. Na duhet vetëm një marrëdhënie e drejtë dhe një kontribut i drejtë, nëse duam besim te Qeveria dhe ekonomia dhe një hap përpara. Të gjithë jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe kësaj ekonomie dhe nëse ata bëjnë një hap përpara, do të jetë një hap i madh për secilin prej nesh individualisht.

Në fund, do të theksoj se, nuk ka vend për stigmatizimin e tatimit të solidaritetit, sepse ata që do ta paguajnë këtë tatim, meritojnë mirënjohje të madhe si akt i përgjegjësisë sociale.