April 27, 2024
Shqipëri

Skandal në Shqipëri: Rruga filloi me çmim 73 milion euro, mbaron me 225 milionë dhe disnivel 17 metra!

‘225 milionë euro për vetëm 43 km’/ Berisha: Skandal me rrugën që humbi

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka denoncuar një tjetër skandal të qeverisë së Edi Ramës, ku rruga Qukës-Qafë Plloçë ka një disnivel 17 m në pikën e lidhjes së dy loteve.

Berisha thekson se ky është një verbim i syve nga vjedhja, pasi kjo rrugë 43 km u prokurua me 73 milionë euro, por ndër vite çmimi me vjedhje është pathuaj katërfishuar dhe ka arritur në 225 milionë euro dhe akoma nuk ka përfunduar.

Skandal me rrugën që humbi. Habia e madhe!

Në pikën që do bashkoheshin dy lotet, del një disnivel me lartësi 17m. Ky nuk është tunel, por verbim i syve nga vjedhja. Rruga prej 43 km Qukës- Qafë Plloçë, që filloi në vitin 2009, duhet të përfundonte në vitin 2014, por akoma nuk ka të sosur. Rruga u prokurua me 73 milionë euro por ndër vite çmimi me vjedhje është pathuaj katërfishuar dhe ka arritur në 225 milionë euro.

🔴 Lexoni mesazhin e teknikut dixhital. sb

Përshëndetje dr., jam inxhinier rrugesh, desha t’ju informoj se rruga Qukës- Plloçë është bllokuar për një problem të madh. Në pikën ku duhet të bashkoheshin dy lotet, u del një disnivel në lartësi prej 17 m. Nuk është problemi i projektit, por i zbatimit pa supervizor. Kishin një italian, por është zhdukur. Paaftësi, korrupsion i madh a tjetër, apo të gjitha bashkë?

Tashti për ta korrigjuar, mendojnë ta zgjasin rrugën kot me kthesa deri sa të barazojnë nivelet. Kjo, përveç shpenzimeve, ul shumë dhe cilësinë e rrugës e klasifikimin e saj. Në maj 2018, kur kryeministri Edi Rama inspektoi punimet e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, tha se do të përfundojë në korrikun e 2019.

Përgjatë harkut kohor të këtyre viteve, njësoj si Shkumbini kur del nga shtrati, është fryrë edhe buxheti i saj. Aktualisht shuma e investimit ka arritur në 225.3 milionë dollarë. Goxha investim për asgjë!