Maqedoni

S’ka zgjidhje për kaosin në rrugët e Tetovës, ardhja e mërgimtarëve rëndon problemin

Edhe pse stina e ardhjes së mërgimtarëve po ofrohet, as komuna e as Sektori i Punëve të Brendshme i Tetovës nuk kanë marrë ende asnjë hap për ta zbutur kaosin në rrugët e Tetovës. Komuna akuzon madje SPB-në se nuk bashkëpunon si duhet.

I kemi votuar tashmë që shumë rrugë të bëhen një kahesh dhe kjo do të jetë efektive, dhe do jetë e qasshme sepse shumë rrugë nuk janë të gjëra sa duhet për të qenë me dy drejtime. Me vendim që e sollëm në këshill ato rrugë do bëhen një kahesh dhe shumë do e zbusin komunikacionin. Ne do dërgojmë shkresë deri tek SPB dhe nëse ata nuk ndërmarrin masa, ne do dalim para opinionit dhe do e shpalosim se ku qëndron problemi”, deklaroi Besar Durmishi, Kryetar i këshillit komunal Tetovë.

Sektori i Punëve të Brendshme i Tetovës, thotë se ka plan për uljen e kaosit në rrugë por nuk tregoj se kur do ta zbatojë. Nga ana tjetër SPB apelon shoferët e vendit, që pas ardhjes së mërgimtarëve, sa më pak të përdorin makinat.

“Kërkojmë nga qytetarët që veturat e tyre gjatë asaj periudhë apelojmë që të mos i parkojnë vend e pa vend dhe pa nevojë të mos dalin rrugëve të qytetit. Sa i përket akuzave që përmendët, veprimet në terren shpjegojnë të kundërtën sepse përditë me shërbimin e merimangës kemi të angazhuar nga gjashtë policë në ditë dhe vetëm dje kemi ngritur 24 makina me shërbimin e merimangës dhe 23 parashtresa adekuate për gabim parkim nëpër rrugët e Tetovës”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

“Hapi i vetëm që merret nga komuna e Tetovës me ardhjen e mërgimtarëve tash e më se një dekadë, për zbutjen e stresit nëpër rrugë që shfaqet me shtimin e numrit të makinave është hapja e oborreve të shkollave, por viteve të fundit, edhe këta tregohen të pa suksesshme dhe rrugët sërish janë të bllokuara”.