Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me njoftimet dhe informacionet se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, po përgatit ndryshime ligjore dhe sistematizim të ri të vendeve të punës, të cilat drejtpërdrejt e dëmtojnë rëndë statusin institucional të Dibrës.

“Deri më sot, organi për punë të brendshme në Dibër ka funksionuar me statusin e Njësisë për Punë të Brendshme, ndërsa sipas ndryshimeve të paralajmëruara, Njësia për Punë të Brendshme- Dibër degradohet dhe kalon në njësi të kategorisë së dytë, duke humbur kompetencat thelbësore dhe strukturën e saj komanduese.
Me këtë vendim, të gjitha kompetencat dhe organi komandues kalojnë nën juridiksionin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, ndërsa në Dibër nuk parashihet më:
* kryeshef i policisë,
* kryeshef i njësisë antikrim,
zëvendëskomandant,
* as komandant i pikës kufitare.
Ky veprim përbën një zhvlerësim serioz institucional për një rajon kufitar dhe strategjik, duke cenuar drejtpërdrejt sigurinë, efikasitetin institucional dhe barazinë në trajtim. Ekziston rreziku real që ky degradim të jetë vetëm një hap paraprak drejt shndërrimit të Njësisë për Punë të Brendshme në Dibër në një stacion të thjeshtë policor.
I bëjmë thirrje të gjithë faktorëve relevantë politikë dhe institucionalë, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, që të mos lejojnë këtë ndëshkim të padrejtë dhe të papranueshëm ndaj Dibrës, i cili ka prapavijë të qartë politike dhe etnike.
Dibra meriton trajtim të barabartë, siguri funksionale dhe respekt institucional. Çdo përpjekje për ta degraduar atë do të hasë në kundërshtim të fuqishëm dhe të vendosur.”, thuhet në njoftimin e Aleancës për Shqiptarët. (INA)

sqShqip