July 27, 2024
Maqedoni

Situata me virus, e qëndrueshme – tha Filipçe

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe sot theksoi se deri më tani në vend ka vetëm një rast të infektuar me llojin omikron të Kovid-19 dhe gjendja epidemiologjike mbetet e qëndrueshme. Analizat shtesë, siç tha ai, do të bëhen javën e ardhshme.

“Deri tani është vetëm një rast i llojit omikron. Duke qenë se ky është një rast që vjen nga jashtë, mendoj se duhet bërë një analizë shtesë gjatë javës së ardhshme. Por, prania në rajon mund të nënkuptojë se kjo është për shkak të komunikimeve dhe udhëtimeve të shpeshta të qytetarëve tanë në vendet fqinje”, tha Filipçe pas vizitës në spitalin special për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Çair.

Ministri theksoi se situata epidemiologjike është ende mjaft e qëndrueshme. Siç tha ai, nuk ka rritje të rasteve të reja të diagnostikuara, ndërsa spitalet vazhdojnë të funksionojnë pa presion nga fluksi i shtuar i pacientëve.

“Javën e ardhshme do të bëhet një grup analizash që do të renditen, por për momentin nuk ka shenja se ka përkeqësim të situatës epidemiologjike”, tha ministri Filipçe.