Sistemi VAR nuk do të përdoret në gjysmëfinalet e Carabao Cup, arsyeja është mjaft interesante

Tashmë edhe zyrtarisht është bërë e ditur se sistemi VAR nuk do të përdoret në gjysmëfinalet e Carabao Cup.

EFL (Kampionati i Ligës Angleze të Futbollit) ka kërkuar që kjo teknologji të mos përdoret në gjysmëfinalet që do të zhvillohen mes Chelsea/Middlesbrough dhe Liverpool/Fulham.

Të besuarit e Mauricio Pochettinos do t’i bëjnë vizitë ekipit që bën gara në kategorinë e dytë të futbollit anglez nesër (e martë), ndërsa Liverpooli do të jetë nikoqir i Fulhamit të mërkurën në “Anfield”.

Kjo masë është marrë pasi Middlesbrough nuk e ka të instaluar sistemin VAR në stadiumin e tyre, pasi që ky sistem nuk gjen përdorim në Championship.

Kështu EFL mori vendim që në vend se VAR-i të përdoret në tri nga katër ndeshjet gjysmëfinale që do të luhen, do të ishte më “e drejtë” që VAR-i të mos përdoret në asnjërën prej tyre.

“Sistemi VAR nuk do të përdoret në gjysmëfinale pasi ishte e pamundur që kjo teknologji të përdorej në Middlesbrough”, ka thënë një zyrtar i EFL për The Telegraph.

“U mor vendimi që ishte më e drejtë që të mos e përdorin në asnjërën nga katër ndeshjet gjysmëfinale”.

“Federata Angleze e Futbollit iu ças këtij problemi ndryshe (në FA Cup) por ne vendosëm në këtë mënyrë. Nëse nuk mund të përdoret në njërën nga ndeshjet, atëherë nuk do të përdoret në asnjërën”, u shpreh zyrtari i EFL-së.