June 26, 2024
Maqedoni

Sindikata e shëndetësisë në protestë: Të harmonizohen pagat me pagën minimale

Sindikata e pavarur për shëndetësi, farmaci dhe mbrojtje sociale protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë për Nënshkrimin e aneksit të marrëveshjes kolektive në shëndetësi dhe harmonizimin e koeficientëve të angazhimeve të punës me koston e jetesës. Ata të pakënaqur me të ardhurat aktuale, kërkuan nga Qeveria e ardhshme që t’i rregullojë pagat e tyre.
“Korrigjimi në këtë  moment është diku rreth 4.250 denarë në bruto ose 3.000 denarë neto dhe nëse këtë e llogarisim do të  ketë implikime financiare për të gjithë të punësuarit dhe kjo do të kushtojë diku rreth 14 deri në 15 milionë euro në nivel vjetor. Tek infermieret, përqindja e rritjes e cila ishte shqyrtuar dhe miratuar në Qeveri,  lëviz diku rreth 12 për qind rritje pagash. Nëse marrim parasysh konceptin, kjo përqindje ndryshon.”, – deklaroi kryetari i Sindikatës së pavarur për shëndetësi, Lubisha Karanfillovski.
“Këta punëtorë i shkollojnë në vendin tonë që të punojnë në Gjermani. Ne kemi një trend të tillë negativ viteve të kaluara,  ku punëtorët tanë ikin nga Maqedonia, ndërsa në vendin tonë kanë shkollim pa pagesë dhe në këtë mënyrë po udhëheqet një politikë e gabuar. Pagat duhet të rriten dhe këtë duhet ta marrin parasysh të gjithë funksionarët dhe të gjithë pjesëtarët e Qeverisë.”, – theksoi kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov.
“Në këto institucione shëndetësore hyjnë kuadër mjekësor  joadekuat, të paaftë, të kaluar në disa filtra dhe punë të tjera, ku dhe ata punësohen me vendime, ndërsa punën e tyre e kryejnë punëtorët që janë më të moshuar se ata.”, – u shpreh infermierja, Danica Stojkova.
Protestë me kërkesa të njëjta u mbajtën edhe në Tetovë, Gostivar, Kumanovë dhe qytetet tjera të vendit./TVM2