Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka komentuar debatin publik nëse duhet ose jo të blihet një avion i ri qeveritar, duke e përshkruar me humor avionin aktual si “avioni i vëllezërve Rajt”.
Ajo tha se kolegët e saj presidentë nga rajoni e quajnë avionin qeveritar “avioni i vëllezërve Rajt”, pasi është më i vogli dhe më i vjetri.
“Çfarë mund të them? Le t’ju bëj të qeshni. Avioni ynë qeveritar quhet kështu nga kolegët e mi, sepse është më i vogli dhe më i vjetri”, u shpreh presidentja.
Sipas saj, përdorimi i avionit qeveritar në disa raste mundëson kryerje më funksionale të detyrave shtetërore dhe ndonjëherë është edhe më ekonomik sesa fluturimet komerciale. Megjithatë, ajo theksoi se shpesh ndjen dilemë kur detyrohet ta përdorë, pasi avioni është 25 vjet i vjetër dhe është blerë i përdorur.
Siljanovska-Davkova shtoi se një nga hendikepet më të mëdha është kapaciteti i kufizuar i avionit, i cili nuk lejon marrjen e gazetarëve gjatë udhëtimeve zyrtare.

