Maqedoni

Shumica e serbëve në Maqedoni sot kanë votuar për partinë e Vuçiqit

Serbët nga Kumanova sot në Klubin e veteranëve të rezervës votuan në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Kryetari i Këshillit Zgjedhor në vendvotimin 54, Zoran Kovaçeviq në deklaratë për MIA-n tha se zgjedhjet zhvillohen pa probleme dhe se vendvotimi është hapur në orën 7.

Disa media kanë raportuar se sipas informacioneve të para ende jozyrtare, shumica e serbëve në Maqedoninë e Veriut kanë votuar për partinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton portali lideri.mk.

Nuk dihet numri i saktë i votuesve nga Maqedonia e Veriut që kanë marë pjesë sot në zgjedhjet serbe, por numri i tyre konsiderohet mbi 1.000. Shumica prej tyre në Kumanovë.

“Në këtë vendvotim deri më tani kanë votuar 246 nga gjithsej 420 votues të regjistruar, që është rreth 58 për qind pjesëmarrje. Është mirë e organizuar, kushtet janë të mira, gjithçka është në rregull dhe presim pjesëmarrje të madhe deri në fund të ditës së zgjedhjeve”, deklaroi Kovaçeviq diku pas mesdite.

Zgjedhjet kanë përfunduar në ora 20, e ndërkohë kryeministrja serbe Ana Bernabiq në një fjalim që ka mbajtur ka thënë se presidenti Aleksandar Vuçiq i ka ftuar të gjithë për festë. Ajo ka thënë se në bazë të numërimit të më shumë se 50 për qind të vendvotimeve ata kanë fituar 47 për qind të votave. Ndërsa një exitpoll që e ka publikuar gazeta CeSID/IPSOS, partia e Vuçiqit ka arritur fitore me 46.6 për qind të votave, ose 129 mandate.

Në vend të dytë është “Serbia kundër dhunës” me 23 për qind ose 63 mandate. Vendin e tretë sipas saj e ka partia e Daçiqit me 6.9 për qind ose 19 mandate.

Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore. Të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë banorë. Qendrat e votimit kanë qenë të hapura prej orës 07:00 deri në orën 20:00, përveç rasteve ku ka pasur radhë të votuesve duke pritur në qendrat e votimit. Deri në orën 20:00 kanë votuar 59.68 për qind e qytetarëve.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviq, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë. Ka treguar se fillimisht do të numërohen votat për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale. Rasha Nedellkov, drejtor i organizatës joqeveritare për vëzhgim zgjedhjesh CRTA, ka pretenduar se vëzhguesit e organizatës janë sulmuar fizikisht dhe makinat e tyre janë dëmtuar rëndë në komunën Oxhaci në veri të Serbisë. Policia e ka arrestuar gjatë ditës një të dyshuar lidhur me këtë incident dhe është thënë se po kryhen hetime. Nedellkov, ka thënë se në Beograd janë sjellë qytetar nga vendet e tjera për të votuar.