May 6, 2024
Rajon - Botë

Shaip Kamberi fiton edhe një mandat deputeti me mbi 11 mijë vota, Shqiprim Arifi vetëm 1.250 vota

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi pritet të jetë zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë edhe për një mandat.

Radio Televizioni i Kosovës raporton se “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon” ka fituar 11.500 vota. Ndërkohë, Alternativa Demokratike Shqiptare e Shqiprim Arifit ka marrë 1,250 vota.

Më herët Kamberi ka thënë se është afër të sigurimit të edhe një mandati.

“Jemi shumë afër sigurimit të një mandati, kjo nuk përcaktohet vetëm nga votat që marrim, por nga dalja e përgjithshme, nga fakti se a do të digjet ndonjë listë e partive qendrore të cilat s’arrijnë të marrin 3% të votave të domosdoshme, sa është kuota ajo që ligji e përcakton si pragu natyror për një mandat”, ka deklaruar Kamberi për RTK-në.

21:59
Rezultatet preliminare në Preshevë: Kamberi prin bindshëm

“Beteja politike e shqiptarëve”, nismë e Shaip Kamberit në Luginë të Preshevës, po prin me numrin e votave, bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare.

Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor të Preshevës, Alban Mehmeti, i ka thënë KOHËS se sipas këtyre rezultateve, Kamberi deri më tani i ka 4.600 vota, e kandidati tjetër, Shqiprim Arifi me Alternativën Demokratike Shqiptare ka 900 vota.

18:55
Mbi 6.400 qytetarë votuan në Preshevë e Bujanoc deri në orën 18

Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor, Alban Mehmeti, ka bërë të ditur se deri në orën 18:00 kanë votuar 15 për qind e qytetarëve në Preshevë.

Ai ka thënë se 6.462 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri në këtë periudhë kohore.

Qendrat e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi do të mbyllen në orën 20:00.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit kanë garuar në këto zgjedhje me dy lista të ndara./ksp

17:05
Mbi pesë mijë qytetarë votuan në Preshevë e Bujanoc deri në orën 16

Mbi pesë mijë qytetarë e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në Preshevë deri në orën 16:00.

“Dalja e votuesve deri në orën 16:00 është 5.077 apo 11.71 për qind”, tha kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Preshevë, Alban Mehmeti.

Ndërsa, në Bujanoc deri në këtë orë kanë votuar 27.46 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, sipas kryesuesit të KKZ-së në këtë komunë, Fejzi Beqiri.

Ndryshe, shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në zgjedhjet e sotme parlamentare në Serbi garojnë me listat “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”. /ksp

15:18
Deri në ora 14:00 votuan vetëm tetë për qind e votuesve në Preshevë

Deri në ora 14:00 në Preshevë kanë votuar vetëm tetë për qind e qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që po mbahen në Serbi.

Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ), Alban Mehmeti ka thënë për KosovaPress, se numri i qytetarëve që e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës është mbi 3 mijë e 500.

“Në Preshevë, deri në orën 14:00, kanë votuar 3.587 qytetarë ose 8 për qind”, tha ai.

Të drejtën e votës në Preshevë e kanë 43 mijë e 500 qytetarë.

Sot në Serbi po mbahen zgjedhjet parlamentare ku shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit po garojnë me dy lista zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”.