Shtetasit e huaj me fletarrest ndërkombëtar paijsen me nënshtetësi, ndërsa jo edhe qytetarët që kanë lindur e rritur këtu
Derisa qytetarë të huaj me precedentë penal dhe me fletarrest ndërkombëtar marrin lirshëm shtetësinë e Maqedonisë, duke shfrytëzuar nene të ndryshme ligjore, shumë qytetar të lindur e rritur në Maqedoni janë akoma pa shtetësi. Ndër vite, Alsat ka përcjell rrëfime të qytetarëve, të cilët në mungesë të shtetësisë nuk gëzojnë të drejtat e tyre themelore për shërbime shëndetësore dhe pensionale.
Disa familje thonë se përmbushin të gjitha kriteret për tu pajisur me certifikatë të nënshtetësisë, por se ende dosjet e tyre mbeten nëpër sirtarët e MPB-së. Edhe ato që janë martuar këtu akoma u refuzohet kërkesa nga Agjencia për Siguri Kombëtare, me kualifikim se përbëjnë rrezik për shtetit. Madje edhe me vendime të Gjykatës Administrative, në rastet kur u jepet e drejta për shtetësi, institucionet heshtin.
“Vështirë të jetoj pa shtetësi, se sa vite kam këtu. Më kanë thënë se jam e rrezikshme për shtetin, unë nuk jam e tillë nuk më intereson shteti. Kam punët e mia, shtëpinë time dhe fëmijët e mi. Fëmijët i dërgoja në mjek i ktheja sepse nuk kisha për të paguar sepse nuk kisha sigurim. I kam kthyer ashtu të sëmurë në shtëpi”, u shpreh Mirvete Limani, qytetare.
“Unë nuk e di se çfarë i kam bërë këtij shteti. Se 14 vite jam e martuar. Burri im punon në administratë shtetërore. Nuk e di çfarë kam bërë. Nuk kam asnjë problem. Udhëtoj çdo javë në Kosovë ndërsa disa herë kam udhëtuar edhe nëpër Evropë, si Gjermani dhe vende tjera dhe kurrë nuk kam pasur problem, as unë dhe as familja ime. Nuk e di pse më kanë llogaritur mua si të rrezikshme”, deklaroi Fidrije Dalipi.
Në gusht të vitit të kaluar, Kuvendi miratoi Ligj të ri për Shtetësinë, sipas të cilit procedurat për marrjen e shtetësisë do të ishin më të thjeshta dhe pa zvarritje nëpër institucione. Megjithatë edhe gjashtë muaj pas miratimit të ligjit, MPB njofton se në procedurë janë rreth 1700 aplikime për shtetësi, por jo zyrtarisht rreth 3000 qytetarë që presin të marrin shtetësinë./Alsat.mk