April 30, 2024
Rajon - Botë

Shtatë ditë pas tërmetit të fuqishëm, nxirren të gjallë nga rrënojat një burrë dhe një vajzë

Në ditën e shtatë të përpjekjeve, ekipet e kërkim-shpëtimit në Turqi arritën të gjejnë dy persona të gjallë nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë jugore në fillim të kësaj jave.

Mustafa Sarigul, një burrë 35-vjeçar, u shpëtua nga rrënojat e një ndërtese gjashtëkatëshe në lagjen Antakya të Hatay, një zonë e prekur rëndë për shkak të tërmeteve të dyfishta që goditën Turqinë të hënën.

Ekipet turke dhe rumune të shpëtimit u shfaqën drejtpërdrejt në televizion pasi ata punuan pesë orë për të nxjerrë Sarigulun nga rrënojat ku ai mbeti i bllokuar për 146 orë.

Një vajzë e re, Eylul Kilic, në lagjen Nizip të Gaziantepit u shpëtua gjithashtu pasi mbijetoi për 146 orë nën rrënojat e ndërtesave të shembura. Ajo po qëndronte në shtëpinë e tezes së saj kur tërmetet tronditën rajonin, shkruan Anadolu Agency, përcjell Klankosova.tv

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në provincën Kahramanmaras, prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë Hatay, Gaziantep, Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.

Disa vende të rajonit, përfshirë Sirinë dhe Libanin, ndjenë lëkundjet e forta që goditën Turqinë në më pak se 10 orë.

Në Siri, regjimi dhe zyrtarët e shpëtimit raportuan se të paktën 3,553 njerëz u vranë dhe më shumë se 5,270 u plagosën.