Maqedoni

Shtatë ditë kohë për bizneset që të paguajnë tatimin solidar

Edhe 7 ditë pune mbeten për tu paguar tatimi solidar për kompanitë që arritën ekstra profit gjatë krizës.
Por, dy iniciativa kundër këtij Ligji, i cili para tri jave u soll në Kuvend me flamur Evropian, janë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese. Tatimi solidar duhet të paguhet më së voni deri më 25 tetor, por asnjë nga kompanitë deri më tani nuk ka kryer këtë pagesë njëherësh, siç kërkon Qeveria. Nga Oda Ekonomike thonë se janë në pritje të vendimit të kushtetueses, madje kërkuan kohë shtesë për të tejkaluar implikimet financiare.

Sipas Odës ekonomike, vendosja e taksës krijon klimë negative e biznesit dhe nxitet ekonomia joformale.

Aneta Trajkovska nga kjo Odë tha se afatet ligjore duhet respektuar edhe nëse deri atëherë nuk ka epilog nga Gjykata. Nëse Kushtetuesja e rrëzon këtë ligj, shteti do të detyrohet tu kthej mbrapsht paratë e tyre.

“Për të mbrojtur kompanitë tona anëtare është dorëzuar kërkesa për masën e përkohshme, mbetet që Gjykata të marrë vendim. Ne respektojmë procedurat ligjore dhe pagesa e tatimit manifeston lojalitet ndaj shtetit dhe në atë kontekst, në përputhje me ligjin u kërkua faktori kohë të zgjatet si masë. Nëse Gjykata nuk merr vendim deri në afatin e përcaktuar ligjor, është normale që të respektohen procedurat legjitime, të cilat janë në fuqi”, tha Aneta Trajkovska, Oda Ekonomike.

Nga Gjykata Kushtetuese kumtojnë se është e pamundur që brenda këtij afati të futen në rend të ditës iniciativat për vërtetimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për tatimin solidar. Kjo nënkupton që kompanitë ligjërisht duhet të paguajnë tatimin solidar, përndryshe do të pasojnë sanksionet e parapara me ligj.

“Periudha kohore është e shkurtër dhe akoma nuk është formuar lëndë. Nuk do të ketë mundësi që para datës 25 tetor ato iniciativa të futen në rend të ditës të njërës nga seancat e Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të ketë afat shtesë për tatimin solidar”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas përllogaritjeve zyrtare përmes taksës së solidaritetit parashikohet të arkëtohen rreth 90 milion euro. Nga të hyrat që kanë deklaruar në DAP për 2022-ën, kësaj takse do ti detyrohen mbi 200 kompani.

Përllogaritja është e thjeshtë, çdo kompani që ka gjeneruar të hyra 30% më shumë se në 3 vitet e kaluara të cilat njëkohësisht kjo përqindje kalon 10 milion euro do të kushtëzohen të paguajnë taksën solidare.