Diaspora

Shqiptarët e Osijekut në Kroaci me solemnitet për festat e Nëntorit

Sot në Osijek u mbajt manifestimi i 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, një ngjarje e rëndësishme që bashkoi bashkatdhetarë dhe mysafirë për të festuar këtë ditë kombëtare me krenari dhe emocion.

Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Bashkësisë Kombëtare Shqiptare për Slavoni dhe Baranje, z. Basri Haliti, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së traditës dhe kulturës shqiptare.

Nderi i veçantë i këtij manifestimi ishte prania e ushtrueses së detyrës së ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë, znj. Alma Kasa, e cila përshëndeti ngrohtësisht të pranishmit dhe vlerësoi punën e komunitetit shqiptar në Slavoni dhe Baranje.

Programi muzikor u realizua nga Vali-Bend, nën drejtimin e këngëtarit Valentin Kuçi, ndërsa pasurinë artistike të mbrëmjes e shtoi violinistja e njohur Aulona Azizi.

Gjithashtu, nxënësit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe nga Osijeku dhe Djakova kontribuan me recitimet e tyre emocionuese, duke sjellë në skenë shpirtin dhe dashurinë për gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare.

Pas përfundimit të programit artistik, nga Bashkësia Shqiptare Kombëtare për Sllavoni dhe Baranjë për mysafirët dhe të gjithë pjesëmarrësit u organizua një darkë solemne, e cila krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe festive për të gjithë të pranishmit.