May 5, 2024
Maqedoni

Shqiptarët e fshatit Baçisht të Kërçovës që komunistët deshën ti bëjnë torbeshë, tani mësojn shqip (VIDEO)

Ky është fshati Baçisht. Supozohet se ky fshat ka qenë vendbanimi i parë në Kërçovë. Banorët e vjetër flasin në gjuhën maqedonase, por sapo t’iu drejtohesh në shqip ata ta kthejnë në shqip. Edhe nëpër regjistrime ata rregullisht janë deklaruar shqiptarë dhe çdo herë kanë kërkuar që të mësojnë në gjuhën shqipe.

Por thonë se pushteti i vendosur menjëherë pas 1947, këtë të drejtë asnjëherë nuk ua ka mundësuar dhe fëmijët e tyre që nga klasa e parë kanë qenë të detyruar të mësojnë në gjuhën maqedonase. Në vitet shtatëdhjeta mbetën shumë pak banorë në fshat, të cilët mund të komunikonin në gjuhën shqipe dhe fshati në drejtimin gjuhësor nisi dalëngadalë të asimilohet.
Por me rezistencën që bënin këta banorë arritën që këtë shkollë në hyrje të fshatit ta bëjnë të frymoj shqip. Tani nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë mësojnë në gjuhën shqipe.

“Shumë kemi vuajt, kemi dhënë kontribut për ta mësuar gjuhen shqipe, më përpara komunistët nuk na linin të flisnim në gjuhën shqipe amtare, por tani më ndihmën e fshatarëve përreth, tash mësojnë nxënësit në gjuhën shqipe. Ne jemi shqiptarët më të vjetër në rrethinën e Kërçovës”, u shpreh ky banor.

Ata thonë se tash është jeta shumë më e mirë se përpara, kur nuk kanë pasur asnjë kusht për jetesë.

“Sot është shumë mirë. Përpara nuk kemi pasur as rrugë as rrymë, kemi vuajtur shumë tash është më mirë.(ngjitje) Na ka ndihmuar komuna, na kanë ndihmuar njerëzit nga jashtë. (ngjitje) Ka që kanë dal në mërgim por ka edhe këtu”, deklaroi banori.

Në këtë fshat takuam edhe këtë të ri që ishte nip i këtij fshati, ai thotë se të rinjtë kanë perspektivë këtu sepse gjërat kanë ndryshuar.

“Të rinjtë kanë filluar të mësojnë në gjuhën shqipe, por përpara nuk ka qenë kështu i kanë detyruar që të mësojnë në gjuhën maqedonase. Mendoj se tash ka perspektivë për të rinjtë sepse do të vazhdojnë të flasin shqip”, tregon ai.

Fshati ka mbi 1200 banorë, gjysma janë shpërngulur në qytetin e Kërçovës disa në mërgim. Në fshat nuk ekziston asnjë punëtori, përveç disa shitoreve nga të cilat furnizohen fshatarët me artikujt më të nevojshëm dhe dy kafene.