May 9, 2024
DossierMaqedoni

Shqiptarët e arrestuar nga Shkupi e Kumanova ushtria serbe i dergonte në Beograd, ata nga Prishtina në Nish

Prishtina në vitet ‘20 të shekullit XX

Në periudhën kohore trevjeçare 1912 – 1915 kryeqendra e sotme e Kosovës i përjetoi dy okupime, së pari atë serb dhe më pastaj okupimin bullgar. Në vijim do të sjellim imazhe nga koha e dy okupimeve të paraqitura prej autorëve serbë dhe atyre bullgarë, në fund të tetorit të viteve 1912 dhe 1915, bashkëngjitur edhe materiale që ruhen në dy arkivat shtetërore të Serbisë dhe Bullgarisë. Duke u mbështetur në statistikat zyrtare të regjistrimit të popullsisë të viteve 1912, 1917, 1921 dhe të fundit të vitit 1924, si pasojë e luftërave, vrasjeve, dëbimeve dhe formave të tjera të dhunës, rezulton që Prishtina i ka “humbur” gjithsej 3414 banorë

Të gjithë serbët në Prishtinë kërkojnë armë dhe i vendosin kryqet në fesat e tyre

Korrespondenti i gazetës “Zastava” të Novi Sadit, Jasha Tomiq, që ishte në përcjellje të shtabit të ushtrisë serbe qëndroi në Prishtinë në javën e fundit të tetorit të vitit 1912, pra në ditët e para kur Prishtina u okupua prej ushtrisë serbe.

“Kanë kaluar njëzet e katër orë (23 tetor 1912) që prej kur ndodhem në Prishtinë ku vërehet njëfarë gjallërie, lëvizje e banorëve, por për çudi në rrugë nuk e pashë asnjë grua! Gratë turke janë mbyllur nëpër shtëpi, ndërsa gratë tona serbe nuk paraqiten askund! Janë këto pamje të çuditshme, të pazakonta! Shqiptarët që luftuan kundër ushtrisë serbe duket se tani janë fshehur nëpër Prishtinë. Janë me mijëra. Tërë ditën ata e kanë dorëzuar armatimin, municionet dhe mjetet e tjera ushtarake. Me armatimin e dorëzuar do të mbushen magazina të tëra! Armët dhe mjetet ushtarake janë të shtetit turk. Shqiptarë e këtushëm kanë qëlluar mbi ushtrinë serbe, prej shtëpive të tyre. Përveç tjerash, ekziston edhe një numër i madh i shqiptarëve të zënë robër dhe është e sigurt se ata do të dërgohen në qytetin e Nishit. Shqiptarët luftuan kundër ushtrisë sonë deri në frymën e fundit”, ka shkruar Tomiq, që lë për të kuptuar se prishtinasit e zënë robër atëherë ishin dërguar në qendrën e Nishit, ndërsa ata të viseve lindore të Kosovës të rrethinave të Kumanovës dhe ata të Shkupit, siç dihet si robër lufte pas “defilimit” rrugëve të Beogradit ishin burgosur në kalanë e kryeqendrës serbe.

Ai më tej ka vazhduar se “kur ushtria serbe hyri në Prishtinë ranë kambanat e kishës dhe tani të gjithë serbët në Prishtinë kërkojnë armë dhe e vendosin kryqin në fesat e tyre!”

“Serbët tanë këtu numërohen të jenë 600 shtëpi dhe janë afërsisht 3000 banorë. Ndërsa, Prishtina i ka rreth 25.000 banorë turq. Tani në organizim e sipër është pushteti i ri. Edhe pse ka ekzistuar edhe më herët, tani Këshilli i Kishës Serbe e ka nisur funksionimin, pasi çdo serb ortodoks i moshës mbi njëzet e një vjeç ka pasur të drejtë ta zgjedhë këshillin dhe kuvendin e kishës. Këtë e toleruan turqit dhe këtë e lejoi edhe vetë mitropoliti i cili më herët vetë e zgjidhte Këshillin e Kishës… Ne gazetarët tani jemi në selinë e kryeshefit të qarkut dhe të gjyqit në Prishtinë. Në secilën zyrë të hyqymetit ka shumë tavolina, protokolle dhe papuçe që u shërbejnë nëpunësve të ndihen më komodë!”, shkruan ai.

Dy ditë më vonë më 25 tetor, Jasha Tomiq nuk ka mundur të anashkalojë gabimin e lartshënuar rreth përkatësisë së prishtinasve, por ai ka paraqitur edhe situatën e dalldisë, të qëlluarit me armë në të gjitha skajet e kryeqendrës së Kosovës.

“Që prej kur ushtria serbe ka hyrë në Prishtinë, të shtënat nuk pushojnë dhe qëllohet prej të gjitha anëve. Prishtina është çerdhe e shqiptarëve dhe ky qytet është kryeqendra e tyre në Kosovë. Kam dëshirë që t’i them dy – tri fjalë edhe për shqiptarët. Që prej fillimit të rrugës, luginës së Llapit prej Prepollcit e deri në Kosovë, ato zona banohen ekskluzivisht prej shqiptarëve. Ata jetojnë në tokën e bekuar, por ajo është shkretë, e papërdorshme! Kafshët këtu janë të imta, thatanike, shtëpitë janë të mjera dhe janë për të ardhur keq. Këtu do të kishte vend edhe për të tjerët, por shqiptarët, llapjanët nuk e durojnë askënd në mesin e tyre. Ata nuk i durojnë në mesin e tyre myslimanët e lëre më të krishterët! Llapjanët askujt nuk i paguajnë tatim. Sot i kam parë të zënë robër më tepër se njëmijë shqiptarë!”

Më së shumti qanin fëmijët e uritur dhe nxitimi drejt Detit Adriatik

Si gazetar që vinte prej territoreve ku megjithatë ndryshonte mentaliteti serb krahasuar me viset poshtë Beogradit, Jasha Tomiq e kishte shprehur dëshirën që ta vizitonte një familje serbe prishtinase të asaj kohe.

“Derisa isha në Prishtinë, pata rastin të takoja disa qytetarë serbë dhe këshillin ku ata tuboheshin, por dëshira ime ishte që të hyja në ndonjërën prej shtëpive prishtinase dhe vizita ime u realizua, por për fat të keq, po atë ditë u dha urdhri që shtabi të vazhdojë tutje, prandaj iu drejtova shtëpisë më të afërme serbe. Nikoqirja më priti te porta me përshëndetjet e zakonshme të këtushme. I tregova se kush jam dhe cila ishte dëshira ime. Më çoi në dhomën e sipërme ku kishte plot fëmijë, por nuk ishin të gjithë të saj. Kjo është shtëpia e tre vëllezërve Vançevi që i kanë tetë fëmijë. Ndërsa fëmijët që ishin në avlli ndoshta dhjetë e më tepër ishin shqiptarë! Nikoqirja, e ëma plakë e Vançevëve më tha se prindërit shqiptarë na i besuan fëmijët që ne të kujdesemi për ta! I thashë ëmës plakë të Vançevëve se ushtria jonë nuk do t’i vrasë fëmijët, por as burrat shqiptarë nëse ata do të qëndrojnë të qetë!”, ka shkruar Tomiq i cili e kishte vizituar edhe Graçanicën.

“Graçanica i ka shtatëdhjetë shtëpi, prej tyre katërmbëdhjetë janë shqiptare. Rreth e përqark ka shumë kullosa. Në Kosovë toka është shumë pjellore. Kjo tokë është e ngjitshme me atë të Banatit”. Të vetmen anë të mirë të shqiptarëve që ky autor e ka potencuar është trajtimi që shqiptarët ua bëjnë grave.

“Ana më e mirë e karakterit të shqiptarëve është se ata nuk i rrahin gratë”, por Tomiq nuk ka shprehur kurrfarë mëshire për gratë dhe fëmijët shqiptarë, që tani ishin shndërruar refugjatë nga ana e ushtrisë për të cilën ai jepte garancinë se nuk do të vriste as fëmijët e as burrat shqiptarë!

“Gati prej të gjitha vendeve që i mori Serbia, shqiptarët dhe turqit nisën të shpërnguleshin. Të gjitha rrugët pothuajse ishin të zëna prej banorëve që po arratiseshin me të madhe. Mbi qerre apo saja ata i kishin ngarkuar të gjitha gjësendet shtëpiake, ndërsa rreth e përqark qerreve shkonin gratë, pleqtë dhe fëmijët. Askush prej tyre nuk e kthente kokën për të parë mbrapa! Më së shumti qanin fëmijët e uritur dhe kjo i nxiste ushtarët serbë që të mendonin për fëmijët e tyre që i kishin lënë në shtëpi, prandaj ndonjëherë në drejtim të fëmijëve shqiptarë që qanin shiheshin duar të shtrira të ushtarëve që ua jepnin atyre ndonjë copë buke. Është e qartë se pjesa më e madhe e të arratisurve do të shpërngulen për në Azi. Ndërsa Armata e Tretë serbe tani është duke nxituar që nëpërmes Prizrenit dhe Gjakovës të mbërrijë sa më parë në Detin Adriatik”, ka përfunduar Tomiq.

Image
Pamje e zmadhuar e Tyrbes së Sulltan Muratit
Asnjë kujtim prej kohëve të kaluara

Prishtinën e zymtë të tetorit të vitit 1912 e kishte vizituar edhe gazetari dhe shkrimtari Ivo Qipiko me origjinë italiane, që atëbotë raportonte për gazetën beogradase “Politika”. Në Prishtinë ai kishte arritur me tren duke udhëtuar prej Shkupit.

“Fusha e gjerë, e shkretë, madhështore! Nëpër të, askund dhe asnjë gjurmë të kujtimit të famës së moçme serbe! Nëpër këto fushë e brigje të shpërndara prapa lisave të kuqërremtë ngjyrë bakri qëndrojnë fshatrat tona të rralla që duket se përpiqen të fshihen dhe të mos duken askund… Sapo zbrita prej treni… Prishtina. Ecim – më tha shqiptari dhe i kamxhikosi kuajt. Para nesh në prehrin e bregut, grumbull është mbledhur qyteti shqiptar i Prishtinës. Burrat prishtinas pranë të cilëve kalojmë ne, shikojnë përdhe dhe heshtin gjithnjë. Ndërsa gratë nuk mund të gjenden as për ilaç! Vetëm një djalosh i ri i shkëmbeu disa fjalë me ne pasi hymë në një han. Duke biseduar shëtisim rrugës kryesore të Prishtinës. Në shumicë na përcjellin qepenët e errët të ulur si strofuj dhe shikimet dhelparake të shitësve. Asgjë e pazakontë askund. Asnjë kujtim prej kohëve të kaluara! Vetëm diku në mes të Prishtinës, mund t’i shohim konakët e bukura të Jashar pashës ku në shatërvanin shumëngjyrësh nën tingujt e gotave të qelqta, uji shpërndahet në të gjitha anët. E pamë edhe kishën e Shën Nikollës që për të hyrë në të duhet zbritur shkallëve që çojnë në bodrumin e nëndheshëm! Raja i është frikësuar dritës prandaj i është lutur Zotit në errësirë! Po tani ka nisur dita e re! Drugdhendja në altarin e kishës është gjëja e vetme artistike në të. Kjo është një punë e shumëllojshme, precize dhe harmonike. Hasëm edhe në Xhaminë e Pirinazit për të cilën thuhet se dikur ka qenë kishë. Aty ndodhet teqeja në të cilën është varrosur një shenjtor turk ku uji i bekuar rrjedh pandërprerë…”.

Sheh Mehmeti dhe vuajtja e tij

Padyshim se përveç Prishtinës e Graçanicës jo vetëm për gazetarët, por edhe për nëpunësit kureshtarë serbë, edhe Gazimestani ishte stacion i vizitave të tyre dhe ku ata sikur i kërkonin fillet “e famës së dikurshme” serbe! Prandaj edhe Ivo Qipiko ia kishte mësyrë Tyrbes së sulltan Muratit.

“Kalojmë afër Gazimestanit. Në afërsi janë varret e shpërndara dhe në mes tyre ndodhet një shtëpizë – ajo është teqeja në të cilën kandilat qëndrojnë ndezur gjithnjë. Aty janë varrosur bajraktarët e famshëm të Kosovës. Duke kalëruar aty-këtu e takojmë ndonjë shqiptar dhe si më parë, ata gjithnjë i ulin shikimet përdhe duke mos na i thënë asnjë fjalë të vetme. Më në fund e përshëndeta një plak të moshuar. Ai m’i picërroi sytë dhe duke buzëqeshur me cinizëm m’u drejtua shkurt: askeri serb! Eh serbi i sertë! Tyrbja e sulltan Muratit është një ndërtesë e zakonshme turke si xhami, por pa minare, e rrethuar me mure të larta dhe të gëlqerosura. Disa ushtarë tanë (serbë) janë në rojë dhe në hyrje e takuam shehun plak, Mehmetin. Në shoqërim të tij hymë në tyrbe. Në mes të hapësirës ndodhet arkëmorti i mbuluar me mbulojë mëndafshi, ndërsa te koka është vendosur një turban i mbështjellë me mëndafsh të bardhë. Në dritën e larmishme të pasdites shikoj në arkëmort dhe çuditërisht mendimet më çojnë në të kaluarën e largët. Asgjë e pazakontë. Para meje duket një i vdekur që thuajse është varrosur dje… Derisa zotëri majori (serb) në muret e teqesë i shikon shkrimet kuranore, unë po e shikoja shehun plak. E shikoja fytyrën e tij të qetë e të pikëlluar, por edhe sytë e tij të njomur prej lotëve të derdhur. Koha e ka vrarë shehun në shpirt, ajo e ka shkelur atë! Sheh Mehmetit, familja e të cilit me breza e ka ruajtur tyrben e sulltan Muratit para dy ditëve nga tifoja i ka vdekur djali i tij i vetëm. Pra, i biri iu zhduk bashkë me vdekjen e perandorisë së tij! E përfunduam vizitën. Ka rënë muzgu. Ushtarët tanë bisedojnë mes vete. Shehu plak ishte mbështetur për çezmën e tharë që ndodhej aty, pasi kahmoti kishte shteruar uji në të. Para tij shtrihet varri i freskët dhe kotet “Selamllëku” i shkretë, ku priten mysafirët që vijnë për t’iu përkulur hijes së sulltan Muratit. Ndërsa pak më larg në tokë shtrihen gjetjet arkeologjike romake dhe kur i shoh ato, para syve të mi me radhë më shfaqen shekujt e kaluar”, ka përfunduar Ivo Qipiko.
Prishtina e fundtetorit të vitit 1915 – okupuesit ia mbathin

E mposhtur në Luftën e Dytë Ballkanike më 1913 dhe e lënë me duar bosh nga ana e Serbisë pas marrëveshjes për ndarjen e Maqedonisë, por edhe e “lënë në harresë” nga Rusia, e cila tani e mbështeste Serbinë, në prag të fillimit të Luftës së Parë Botërore, Bullgaria u radhit përkrah Fuqive të Trepalëshit, rrjedhimisht të Fuqive Qendrore, bashkë me Gjermaninë dhe Austro-Hungarisë. Në anën tjetër, Serbia u pozicionua në krahun e bllokut politiko-ushtarak të Fuqive të Antantës, ku bënin pjesë Franca, Anglia e Rusia.

Në rrjedhën e përgatitjeve për fillimin e operacioneve luftarake kundër Serbisë, në fillim të shtatorit të vitit 1915 në Bosnjën verilindore ishte grumbulluar Armata e Tretë austro-hungareze, ndërsa në Banatin e Jugut, Armata e Nëntë gjermane. Të gjitha forcat ushtarake të tri Fuqive Qendrore ishin vendosur nën komandën e gjeneralit gjerman August von Mackensen.

Konform ma­rrë­veshjes së arritur me aleatët më 8 shtator 1915, armata bullgare filloi mobilizimin dhe u përqen­drua në kufirin perëndimor të Bullgarisë së atëhershme, ndërkaq tri javë më vonë, më 1 tetor, Bullgaria i shpalli luftë Serbisë. Siç është e ditur përgjatë viteve 1918 kryeqendra e Kosovës, Prishtina ishte e përfshirë në zonën okupuese bullgare dhe fërkimet midis aleatëve rreth përfshirjes së tokave shqiptare brenda okupimit bullgar nuk pushuan asnjëherë.

Por, siç është dëshmuar në shekullin e fundit, qëndrimi antishqiptar i qeveritarëve serbë ishte njëherësh edhe qëndrim zyrtar apo shtetëror. Një qëndrim i tillë u shfaq në pranverën e vitit 1915 dhe dëshmi për këtë është dokumenti që ruhet në Arkivin shtetëror të Serbisë në Beograd. She­fi i Seksionit të Administratës, Dragutin Stankoviq në fund të majit të vitit 1915 propozoi që në “viset e çliruara” të konfiskoheshin të gjitha pronat e shqiptarëve dhe turqve, sepse kishte ardhur momenti i duhur për veprim.

“Në ‘viset e reja’ ka shumë muhamedanë (turq dhe shqiptarë) që i kanë braktisur pronat e tyre, duke u larguar për në Turqi ose Shqipëri. Disa prej të larguarve janë kaçakë dhe kohë pas kohe sulmojnë me armë në dorë, duke kaluar në territorin tonë. Pronat e tyre sot do të mund të konfiskoheshin… Tani është momenti i qëlluar që kjo çështje të rregullohet, por këtë duhet ta hulumtojë Ministria e Punëve të Brendshme, në kompetencë të së cilës është ajo. Pra, kjo ministri duhet ta gjejë mënyrën se si të ekzekutohet konfiskimi i pronave!”, ka shkruar Stankoviq./Koha.net

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë