Sipas BERZH, kjo dinamikë po përkthehet në një “frenim të ndjeshëm ekonomik” për vendet, duke ndikuar në tregun e punës, produktivitetin, investimet dhe stabilitetin fiskal

Shqipëria dhe Kosova renditen si dy vendet me emigracionin më të lartë të popullsisë në krejt hapësirën post-komuniste që nga vitit 1990, sipas raportit “Tranzicioni 2025-26: Një botë e vjetër, por më e guximshme”, publikuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Të dhënat e raportit tregojnë se Shqipëria ka humbur rreth 40% të popullsisë së vitit 1990 vetëm përmes emigracionit neto gjatë viteve 1990-2023, niveli i dytë më i lartë jo vetëm në Evropë, por edhe në të gjitha ekonomitë që mbulon BERZH. Megjithëse shtesa natyrore e popullsisë ka qenë pozitive për pjesën më të madhe të periudhës, duke kompensuar rreth 27% të popullsisë së vitit 1990, kjo nuk ka mjaftuar për të neutralizuar flukset masive të largimit.

KOSOVA, VENDI ME HUMBJEN MË TË MADHE TË POPULLSISË NË EVROPË

Kosova rezulton të ketë pësuar humbjen më të madhe demografike në Evropë për të njëjtën periudhë: rreth 50% e popullsisë së vitit 1990 është larguar përmes emigracionit neto. Megjithatë, shtesa natyrore ka qenë më e lartë se në Shqipëri – rreth 40% duke amortizuar disi tkurrjen, por pa e përmbysur. BERZH ndërkaq mat në raport edhe ndikimin e drejtpërdrejtë të demografisë në rritjen ekonomike. Sipas të dhënave:

– Gjatë viteve 2000-2023, kontributi i popullsisë në rritjen e PBB-së për frymë në Shqipëri ka qenë vazhdimisht negativ, me rreth minus 0.2 pikë përqindje rritje të humbur çdo vit.

– Për periudhën 2024-2050, tkurrja pritet të thellohet në minus 0.3 deri minus 0.4 pikë përqindje në vit, duke e vendosur Shqipërinë ndër ekonomitë më të ekspozuara ndaj kostos demografike në të gjithë rajonin e BERZH.

– Edhe në horizontin 2050-2100, kontribuimi demografik mbetet negativ, një sinjal se presioni i plakjes dhe mungesa e fuqisë punëtore do të zgjasin për dekada. Sipas BERZH, kjo dinamikë po përkthehet në një “frenim të ndjeshëm ekonomik” për vendin, duke ndikuar në tregun e punës, produktivitetin, investimet dhe stabilitetin fiskal.

EKONOMITË MË TË RREZIKUARA NË RAJON

Shqipëria dhe Kosova cilësohen veç tjerash edhe ndër ekonomitë më të ekspozuara ndaj rënies potenciale afatgjatë të rritjes ekonomike, krahasuar me vende me popullsi në rritje si Turqia, Egjipti apo ekonomitë e Azisë Qendrore. BERZH paralajmëron se, pa masa urgjente për rritjen e produktivitetit, investime teknologjike, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e klimës së biznesit, emigracioni masiv do të vijojë të frenojë rritjen për të paktën edhe tre dekada. (Albanian Post)

sqShqip