Shefi i pezulluar i Prokurorisë së Lartë Publike Shkup, Mustafa Hajrullahi, i hedh kategorikisht poshtë të gjitha pikat e aktakuzës së ngritur kundër tij për mobing ndaj pesë nëpunëseve të punësuara në prokurorinë që ai udhëhiqte. Hajrullahi thotë se punonjëset në fakt janë instrument i prokurorëve të tjerë që duan ta njollosin, pasi ai ka hapur procedurë kundër tyre.

“Këto pesë të ashtuquajtura të dëmtuara janë nën komandë direkte, ashtu do të shprehesha, të Fatime Fetait, e cila fatkeqësisht i keqpërdor në çdo rast, me qëllim që përmes tyre të më dëmtojë mua, përkatësisht të shpëtojnë nga përgjegjësia për bonuset e PSP-së, sepse Fatime Fetai dhe prokurorët e tjerë të ish-PSP-së janë të dyshuar, përkatësisht ka procedurë kundër tyre, procedurë të cilën unë e ktheva nga fillimi dhe nuk lejova që Islam Abazi ta mbyllë në mënyrë kontrabanduese”, tha Mustafa Hajrullahi, shef i pezulluar i Prokurorisë së Lartë Publike Shkup.

Aktakuza kundër Hajrullahit është ngritur dhe ka të bëjë me pesë vepra penale, ndër të cilat edhe shpërdorim të pozitës zyrtare dhe keqtrajtim në shërbim, por ai thotë se ende nuk është caktuar gjykata që do ta shqyrtojë atë dhe se procesi do të zgjasë.

“Ende aktakuza rri pezull, sepse Gjykata Themelore në Shtip është shpallur jokompetente, ndërsa për të njëjtin aktvendim prokurori publik në Shtip ka paraqitur ankesë. Për ankesën ende vendoset në Prokurorinë e Lartë Publike në Shtip, por këtu qëndron problemi sepse Prokuroria e Lartë Publike Shtip nuk mund të vendosë për kompetencën, pasi kur kemi situatë ku një gjykatë dhe tjetra janë nga rajone të ndryshme apelimi, atëherë duhet të vendosë Gjykata Supreme”, u shpreh Mustafa Hajrullahi, shef i pezulluar i Prokurorisë së Lartë Publike Shkup.

Kjo do të thotë se në periudhën e ardhshme Gjykata Supreme do të duhet të vendosë se cila Gjykatë do ta shqyrtojë aktakuzën, ndërkohë Hajrullahi do të ketë të drejtë ankese, pastaj do të merret edhe vendimi nëse ai do të përfundojë në bankën e të akuzuarve. Përveç Hajrullahit, për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe si bashkëkryes në veprat e tij, dje është ngritur aktakuzë edhe kundër prokurorit Jovan Cvetanovski, për të cilin Hajrullahi gjithashtu pretendon se është i pafajshëm dhe se pas gjithë kësaj qëndron prokurori shtetëror publik Ljupço Kocevski, i cili dëshiron t’ua dëmtojë reputacionin. /Alsat.mk

sqShqip