Maqedoni

Shpallet në kërkim Sheval Muaremi – Spasovski: Ka qenë organizator i grupit kriminal

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një konferencë për media, pak para formimit të qeverisë së re teknike, ka bërë të ditur se për 16 persona do të ngrihen kallëzime penale dhe për momentin 7 prej tyre janë arrestuar, përcjell KlanM. Njëri nga të arrestuarit është kapur nga policia spanjolle.

Policia kontrolloi 20 lokacione në fshatrat e Sarajit, ndërsa grupi i dyshuar, sipas raportimeve ka operuar nga dhjetori 2019 deri në mars 2021.

Mes të shpallurve në kërkim, siç përcjell KlanM, është edhe Sheval Muaremi, i njohur si “bosi i Gërçecit”.

“I raportuari Sh.M. (Sheval Muaremi) së bashku me dy persona të tjerë O.B. dhe J.K. formoi një grup për të kryer vrasje. Organizatorët kanë bërë plane dhe kanë marrë vendime dhe i kanë zbatuar personalisht ose përmes stafit”, tha ministri Spasovski.

Siç bëri të ditur Spasovski, grupi qëndron pas organizimit dhe tentativës për të vrarë një person nga fshati Bardovc, shtetas shqiptar, trupi i të cilit u gjet më 15 maj 2020 në Matkë në Shkup, si dhe vrasjes së dyfishtë më 5 mars 2021 kur në Shkup është vrarë A.B. dhe B.V.

“Organizatorët kanë kryer disa vepra penale dhe bëhet fjalë për prodhim të paautorizuar të drogës, vrasje dhe tentim vrasje”, tha Spasovski./KlanMacedonia