Maqedoni

Shoqatat e gazetarëve dënojnë rikthimin e reklamave shtetërore në mediat private: Është korrupsion

Shoqatat profesionale të gazetarëve dhe organizatat e shoqërisë civile nga sektori i medias kundërshtojnë kategorikisht përpjekjen për rikthimin e reklamave shtetërore në media. Ata thonë se qëndrimi i tyre vjen nga vlerësimi i ekspertëve se ndryshimet e propozuara do të jenë jashtëzakonisht të dëmshme për pluralizmin mediatik, për pavarësinë e mediave dhe për lirinë e gazetarëve dhe mediave në Maqedoni. Shoqatat mediatike vlerësojnë se me këtë sistem të shpërndarjes së parave publike vendoset korrupsioni sistematik në sektorin privat mediatik.

Shoqatat profesionale të gazetarëve

“Me këtë ligj është zgjedhur mënyra e vetme joefikase dhe e papranueshme për përmirësimin e situatës në sferën mediatike. Për përmirësimin e kësaj situate duhet një debat gjithëpërfshirës që të gjendet mënyra për të ndihmuar mediat, në drejtim të mbështetjes së produksionit programor dhe situatës socio-ekonomike të gazetarëve dhe punonjësve të mediave”.

Shoqatat profesioniste të gazetarëve dhe organizatat qytetare nga sektori I mediave janë shqetësuar edhe për mënyrën se si është keqpërdorur procedura parlamentare që të miratohen ndryshimet e Ligjit për Media, me procedurë të shkurtuar.

Shoqatat profesionale të gazetarëve

“Vlerësojmë se në këtë rast është i papranueshëm përdorimi i instrumentit ‘Flamuri Evropian’, për shkak se ndryshimet e propozuara nuk kanë lidhshmëri me reformat e domosdoshme që duhet të çojnë drejt harmonizimit të ligjeve mediatike të vendit me rregullativat e BE-së”.

Reagimi është nënshkruar nga : Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve të medias, Këshilli i Etikës, Instituti Maqedonas i Mediave, Instituti i Kërkimeve për Zhvillimin Social, Instituti i Studimeve të Komunikimit dhe Qendra për Zhvillimin e Mediave.

Më 2 nëntor, me 78 vota “për”, Kuvendi votoi nevojën për miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Shërbime Audio dhe Audiovizuele Mediatike, me procedurë të shkurtuar, me Flamur evropian, ku vendoset financimi i fushatave shtetërore nëpër televizone, me mjete të buxhetit shtetëror.