Shkupi e priti Tomor Alizotin si “deputetin përbashkues” nga Shqipëria
Studentë dhe një grup intelektualësh nga Shkupi takuan sot “deputetin përbashkues” të shqiptarëve dhe PD-së, Tomor Alizoti.
“Në këtë takim diskutuam për çështje jetike për shqiptarët, Ballkanin, dhe të ardhmen e të rinjve në kuadër të mundësive që kemi. Patëm kënaqësi të dëgjojmë pikëpamjet e z. Alizotit edhe për aktualitetin politik në Shqipëri dhe bashkëpunimin e mundshëm me të rinjtë dhe intelektualët e viseve tona”, deklaroi pas takimit studentja Maida Alimi nga Universiteti i Evropës Juglindore.
Në takim Alizoti u shoqërua edhe nga shkrimtari i njohur shkupjan, Kim Mehmeti.
Ai në Shkup ka realizuar edhe takime tjera të rëndësishme.
Ministri Çupi dhe Faton Fazliu mirëpritën në Shkup “unifikuesin” e PD-së në Shqipëri, Tomor Alizoti
Ministri i diasporës, Xhemail Çupi, bashkë me Faton Fazliun, shefin e kabinetit të Kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, pritën në drekë pune deputetin e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, Tomor Alizoti.
“Bashkërisht biseduam për proceset politike në Maqedoninë e Veriut në raport me hyrjen e Alternativës në Qeveri dhe integrimin e pjesës programore të Alternativës në programin qeverisës; për ngjarjet e fundit brenda partisë më të madhe opozitare në Shqipëri ku z. Alizoti përgjithësisht njihet si zë unifikues mes palëve të involvuara, por edhe për shumë çështje tjera relevante të vendeve tona, rajonit dhe botës”, njoftoi pas takimit ministri Çupi.
Takimi ishte shumë i frytshëm andaj bashkërisht u dakorduam që ky mos jetë takimi i fundit.
Ziadin Sela takim vëllazëror me deputetin e PD-së nga Shqipëria, Tomor Alizoti
Kryetari i Aleances për Shqiptarët, Ziadin Sela është takuar me deputetin e Partisë Demokratike nga Shqipëria, Tomor Alizoti.
Sela dhe Alizoti kanë biseduar për zhvillimet aktuale edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në Shqipëri.
“Një takim vëllazëror me deputetin e Partisë Demokratike, Tomor Alizoti. Bashkëpunimi dhe forcimi i të djathtës, situata në PD, zhvillimet në Shqipëri dhe në vendin tonë, si dhe mënyrat për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen shqiptarët në përgjithësi ishin temat që diskutuam në këtë takim mjaft të rëndësishëm dhe shpresdhënës”, tha Sela pas takimit.