May 9, 2024
Maqedoni

Shkup, protesta në mbështetje të Ukrainës

Parullën me banesën e saj të shkatërruar në Kiev e mbajti fort, por nuk arriti të mbaj edhe lotët ndërsa kujtoi që pjesën tjetër të familjes e ka në shtet rrethim të kryeqytetit ukrainas. Kjo ukrainase tha se djali i saj nuk e lëshoi shtëpinë edhe pse ka foshnjën 5 muajsh. Tha se në Kiev ka qenë gjatë bombardimit rus, dhe në Maqedoni ka ardhur para katër ditësh. Albina Jonuz rrëfeu vështirësitë se si ka ikur nga Kievi dhe kufirin me Moldavinë e kanë kaluar në këmbë. Pastaj nga Rumania në Bullgari dhe arriti në Shkup, shkruan Alsat.

“Unë atje kam 3 fëmijë, 6 nipër e mbesa, nënë në Kiev. Djali im Nikollai e ka më vështirë se ka fëmijë 5 muaj. Si mos të qaj unë këtu. A komunikoni me ta? Po, ende kontaktojmë, ata qëndrojnë nuk dorëzohen, nuk japin as një centimetër nga toka e tyre. Ata mbahen edhe pse nuk kanë çfarë të hanë e të pinë”, tha Albina Jonuz, Shtetase e Ukrainës në Shkup

Kjo është vetëm njëra nga dhjetëra protestuesit që të dielën dolën në sheshin e Shkupit për të bërë një thirrje. Kërkesa e tyre ishte që të mbyllet hapësira ajrore mbi Ukrainën për të ndalur terrorin e Rusisë.

Kreu i Shoqatës së Ukrainasve në Maqedoni Olegsandar Urbanoeviq tha se dikush duhet ta ndal Putinin.

“Unë dhe secili që sot ka ardhur këtu për të shprehur revoltin e tyre e dimë përse kemi ardhur këtu. E gjithë bota kërkon që ky tmerr të përfundoj, edhe një herë kërkojmë që lufta Putiniane të ndaloj së kryeri gjenocid ndaj popullit ukrainas. Lavdi Ukrainës!”, tha Olegsandar Urbanoeviq, Kreu i Shoqatës së Ukrainasve në Maqedoni

Mijëra njerëz janë mbledhur edhe në disa qytete evropiane për të protestuar kundër luftës së Rusisë. Protestuesit në Londër, Riga, Mynih dhe shumë të tjera, brohoritën parulla kundër luftës në mbështetje të Ukrainës, ndërsa Rusia vazhdoi pushtimin e saj për ditën e dhjetë. Por, deri më tani vendi i vetëm që është demonstruar përkrahja e agresionit rus mbi Ukrainën është Beogradi. Ditë më parë qindra qytetarë u mblodhën në kryeqytetin serb me flamuj rus e serb duke brohoritur se janë vëllezër mes veti. /Alsat.mk