Policia e Shkodrës ka zbardhur djegien e dy makinave në këtë qytet, ndërsa ka arrestuar një 19-vjeçar të dyshuar në lidhje me rastin.
Në kudër të operacionit të koduar “Traces”, në pranga ka rënë shtetasi K. M., 19 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si autor i djegies së dy automjeteve. Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor.
“Si rezultat i veprimeve të thelluara për zbardhjen e djegies së qëllimshme të dy automjeteve në pronësi të shtetasve Z. K. dhe A. D., ndodhur mëngjesin e datës 09.12.2025, në lagjen “Iliria”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në provat e grumbulluara si rezultat i veprimeve hetimore intensive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Traces””, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas raportimeve, në banesën e 19-vjeçarit u gjetën dhe u sekustruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri mitraloz i lehtë, municion luftarak, një sasi lënde narkotike kanabis dhe veshjet e përdorura gjatë vendosjes së zjarrit.
Ndërkohë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

